Genti: Nuk dua që djali im të bëhet aktor
Kohët e fundit jeni bërë baba, si ndiheni?
Genti: Ndihem si çdo njeri që është bërë prind për herë të parë... Nuk di ta përshkruaj atë ndjesi që pata në atë moment. Është e papërshkrueshme... 9 muaj ke imagjinuar si do jetë? Çfarë pamje do ketë? Dhe pastaj ka një moment, kur e sheh për herë të parë... Është moment magjik.
A keni qenë pranë bashkëshortes në momentin e lindjes?
Genti: Të them të drejtën, më kërkuan nëse doja të isha pranë Aidës në momentin e lindjes, por pata shumë frikë... Ato ditë kam qenë shumë i ngarkuar emocionalisht, sepse djali ishte pothuaj 2 javë me vonesë mbi parashikimet e mjekëve dhe nuk e dija si do e përballoja. Ama mund të them që ato 60 min në pritje... në korridor kanë qenë më të gjatat e jetës sime. Për dreq, nuk lejohej as cigarja...! E në këtë rast, dua të falënderoj të gjithë personelin e maternitetit “Nëna Xheraldinë”, sepse janë të mrekullueshëm.
Cili ka qenë personi i parë që ju ka uruar?
Genti: Personi i parë që më ka uruar, ka qenë infermierja që solli në dritë fëmijën. Ajo më ka filmuar edhe me celular dhe për fat të keq, videon nuk e marr dot sepse nuk e kishte telefonin me sistem bluetooth. Ajo ka realisht momentin e parë dhe më ka bërë urimin e parë. Pastaj, prindërit e mi dhe miqtë më të ngushtë që prisnin jashtë. Unë mbaj mend që isha shumë i hutuar dhe hutimi im i shkaktonte shumë humor.
Si quhet djali dhe kush e ka zgjedhur emrin?
Genti: Daniel, ka qenë gjithmonë një zgjedhje e imja. Më pëlqente shumë edhe Martin, por dy miqtë e mi i kanë djemtë me këtë emër dhe unë vendosa për Daniel. Sa vështirë të gjesh emër...! Kërkime në internet, sms nga shokët që më sugjeronin, etj. Është shumë për të qeshur, sepse Danieli ka lindur më 11 prill dhe atë ditë ishte e premte. Pasi u sigurova që është mirë, shkoj në provat e “Portokallisë” dhe aty më pyesin për emrin. Unë pa u menduar gjatë u thashë Daniel, por në fraksion sekondash u bëra pishman, se nuk kisha marrë pëlqimin e Aidës. Pasdite, tek e mbaja Danielin në krahë dhe i them Aidës. - Daniel? (për emrin) hahahaha. Ajo më tha vetëm: “Mirë, por m’u zhduk nga sytë!” (qesh)
Ju dëshironit djalë apo vajzë?
Genti: Atëherë kjo pyetje do më fuste edhe me ty në debat. Unë kam qenë dhe jam i fiksuar për djalë. Fraza që, “gocat janë sherbet për bakllava”, nuk ka fare efekt tek unë (qesh). Edhe fëmijën e dytë, djalë e dua, sepse do flas shumë me të, ai është “my boy” haha.
Si ka ndryshuar jeta juaj tani që jeni bërë prind?
Genti: Unë jam natyrë shumë e shoqërueshme dhe vetëkuptohet, miqësia që kam e ndjen mungesën time, por ama është çështje kohe. Do të ishte idiotësi të thosha që tashmë më ka mbyllur brenda. Thjesht shkoj më shpejt në shtëpi, sepse nuk dua të humb asnjë sekondë nga jeta e tij në këto momente.
Si je me oraret e gjumit?
Genti: Unë jam gjumash dhe me gjumë të rëndë madje. Por tashmë, gjumi është reduktuar dhe kur fillon në tre të natës “arie” nga operat e famshme (hahaha), unë ngrihem, por më tepër kot, sepse jam totalisht i padobishëm. Thjesht më prishet gjumi...
Kujt i ngjan më shumë Danieli?
Genti: Thonë që ngjan nga e ëma, por është shumë shpejt akoma. Unë uroj të jetë një djalë i bukur, megjithëse ende nuk dimë ngjyrën e syve, kështu që është shpejt. Por njerëzit e paskan maninë ta kthejnë deri në debat se kujt i ngjan... Për mua ka rëndësi të jetë mirë.
Në cilat gjëra do të donit t’ju ngjasonte si karakter djali, dhe në cilat jo?
Genti: Nga unë të paktën, do të doja të merrte fantazinë, pasionin. Unë jam vizionar, uroj që ai të marrë nga unë dëshirën që t’i dojë gjërat me zemër. Të dojë artin. Megjithëse janë ca gjëra që më mirë të mos i marrë fare…
Është herët për të folur për të ardhmen e tij, por a do të dëshironit të bëhej aktor?
Genti: Aktor??? Jo, kurrë... Është profesioni më pak i vlerësuar në Shqipëri. Tani, nëse do të bëhet aktor, me rrip pantallonash nuk kam për ta rrahur… haha. Të bëhet ç’të ketë dëshirë!
Në varietenë “Portokalli”, tashmë nuk jeni më tre por dy, si ndiheni me alternimet e ndryshme?
Genti: Me ikjen e Ermalit, nuk e mohoj dot që mungon njëra brinjë e trekëndëshit, aq më tepër që Ermali është edhe shok i mirë. Them që në shtator do i shikoni “SHBLSH”-at edhe me Ermalin prezent, edhe pse në këtë sezon nuk ndjehemi keq, sepse në “Portokalli” kam kolegë shumë të mirë dhe të punosh me ta është gjithmonë kënaqësi.
Juli tashmë ka marrë përsipër një shfaqje të tijën, a po mendon dhe ti për diçka të tillë?
Genti: Shfaqjen e Julit e pashë dhe e uroj shumë. Është një shfaqje shumë e mirë, e vështirë dhe shumë e guximshme. I uroj sukses. Ndërsa unë jam në përgatitje për një komedi, “Ariu” i Çehovit dhe sapo të mbarojë sezoni në qershor, filloj edhe xhirimet e filmit të Artan Minarollit, një skenar për gjakmarrjen. Aty jemi të tre, unë, Juli dhe Ermali, në tre role shumë simpatike.


