Please enter at least 3 characters.

Gazetarët e Telegrafit analizojnë gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve në podcastin “Arena e Yjeve”

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, gazetarët e Telegrafit sollën një analizë të detajuar të ndeshjeve të para gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke u ndalur te momentet kyçe, duelët taktike dhe lojtarët që po e përcaktojnë rrugën drejt finales. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.

Diskutimi u fokusua te forma e jashtëzakonshme e dy skuadrave që kanë dominuar Evropën në këtë fazë, me gazetarin Bardh Maxhuni që i dhënë merita të mëdha PSG-së dhe Bayernit për mënyrën si kanë ndërtuar identitetin e tyre dhe si po i menaxhojnë ndeshjet e mëdha.

Në të njëjtën linjë, Maxhuni u ndal edhe te projekti i parisienëve, duke vlerësuar punën e trajnerit spanjoll, duke nënvizuar se stabiliteti në stol dhe qartësia taktike po e kthejnë PSG-në në një skuadër të pjekur për trofeun më të madh.

Në anën tjetër, vëmendje të veçantë mori fuqia ofensive e bavarezëve. Gazetari Lavdim Pireva foli me entuziazëm për repartin sulmues të Bayernit, duke e krahasuar me treshet më ikonike të futbollit modern.

Ndërkohë, gazetari Shkumbin Pireva veçoi Harry Kane, duke i dhënë shumë merita sulmuesit anglez për qetësinë, ndikimin në lojë dhe mënyrën si po i mban bashkë linjat e ekipit në momente vendimtare.

Ai u ndal edhe te ndeshja e kthimit, duke e bërë të qartë pritshmërinë e tij si dhe duke analizuar se përvoja, kontrolli i ritmit dhe forca mentale mund të jenë vendimtare në aktin e dytë të gjysmëfinales.

Episodin e plotë me gazetaret e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/