Gashi: Nuk jemi të sigurt nëse i kemi numrat për ta kaluar Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi thotë se nuk janë të sigurt nëse i kanë numrat për ta kalur Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Kuvend.
Gashi tha se për ligjet çdo herë duhet dialog dhe se takimet mes deputetëve të jenë mënyra e artikulimit dhe gjetjes së zgjidhjes.
“Po nuk i dimë, nuk jemi të sigurt për momentin dhe mendoj se duhet të flasim me deputetët të shohim a kemi mundësi dhe hapësirë politike, a ka gatishmëri që të kalohet ligji dhe të implementohet. Si po rrjedh implementimi, dhe pastaj kushdo që vjen në pushtet apo edhe ne vetë vitin tjetër.
Të formohet trupi koordinativ në Qeveri kur të miratohet metodologjia, do ta përcaktojmë saktë se në cilin institucion cila metodë duhet të përdoret për të arritur deri te përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.
Dhe nëse kjo i jep rezultatet e veta do të bindemi të gjithë se është mirë. Nëse ka probleme, nëse ka mangësi, nëse ka anomali të caktume do të ulemi prap bashkërisht të shohim se ky ligj, apo nen, apo element i ligjit nuk jep rezultate e duhura. E ndryshojmë atë nen, e modifikojmë, dmth vijmë deri te zgjidhja. Asnjëherë nuk ka pasur ligj perfekt që është votuar për herë të parë dhe ka mbetur i tillë i pandryshuar”, tha Gashi.
Lidhur me mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, Gashi tha se zgjedhjet duhet të mbahen në termin e rregullt. Ai shtoi se qëndrimi për zgjedhjet nuk lidhet me frikën nga humbja apo fitorja, pasi sipas tij, rezultatin e përcakton qytetari.


