Gallapeni pas paraqitjes së jashtëzakonshme ndaj Suedisë: Të vazhdojmë njëjtë për ta realizuar ëndrrën
Kombëtarja e Kosovës duhet të vazhdojë të luftojë si ndaj Suedisë për të ëndërruar kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026, kështu së paku është shprehur mbrojtësi Dion Gallapeni në një intervistë për Telegrafin.
Gallapeni padyshim fitoi zemrat e të gjithë tifozëve me paraqitjen e jashtëzakonshme që dhuroi në triumfin historik 2:0 kundër Suedisë në “Fadil Vokrri”.
Mbrojtësi i krahut të djathtë ishte i hatashëm nga fillimi, ndërsa edhe asistoi te goli i Elvis Rexhbecajt, ku me plot meritë pastaj e fitoi edhe çmimin “Lojtari i ndeshjes”.
Në një intervistë të gjatë për Telegrafin, Gallapeni fillimisht komentoi ambientimin te skuadra polake Widzew Lodz, ku ndër të tjera falënderoi edhe mesfushorin shqiptar Julian Shehu që i ka ndihmuar të ambientohet nga dita e parë.
“Më kanë pritur shumë mirë, si klubi ashtu edhe tifozët. Klubi i Widzew është një emër i madh në Poloni dhe për mua është privilegj të jem pjesë e këtij ekipi. Sinqerisht, nuk e kisha menduar që do të ndodhte kaq shpejt, por kam punuar shumë dhe ky besoj që është shpërblimi”.
“Julin e kam pasur shumë afër dhe më ka ndihmuar shumë që nga dita e parë. Juli është super futbollist, super djalë dhe tepër i afërt për mua. Ambientimi është më i lehtë kur ke bashkëkombas pranë si Juli po ashtu edhe Lindoni. Gjithashtu edhe me futbollistët e tjerë kam marrëdhënie shumë shumë të mira”.
I pyetur për kombëtaren e Kosovës, Gallapeni theksoi se gjithnjë e ka pasur ëndërr fanellën “Dardane”.
“Është një ëndërr që çdo lojtar e ka. E kisha synim, por nuk e prisja që do të ndodhte kaq shpejt. Jam shumë krenar që po vesh fanellën e Kombëtares A dhe kjo më motivon të punoj edhe më shumë. Kam besuar që nga dita e parë që me punë, vullnet e dëshirë arrihet gjithçka dhe ja ka vlejt besimi”.
Paraqitja ndaj Suedisë ishte më e mira deri më tani e ish yllit të Prishtinës për Kosovën, ndërsa ai nuk harroi t’i falënderonte tifozët për kujtimet që do të mbesin të paharrueshme.
“Ishte një emocion i madh për mua të paraqitesha në një ndeshje të këtij niveli. Të luash titullar për Kosovën, sidomos në një ndeshje të tillë dhe para tifozëve tanë në Prishtinë, është diçka e veçantë. Ndihem me fat që përjetova një moment të tillë. Stadiumi i Prishtinës më jep ndjesi të jashtëzakonshme pasi kam kaluar vite të paharruara aty dhe kam kujtime të mira”.
Gallapeni në fund nënvizoi se Kosova duhet të vazhdojë me këtë ritëm për t’i rritur gjasat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Botëror 2026.
“Sigurisht që po. Një fitore e tillë të jep besim dhe na ka treguar se mund të përballemi me çdo kundërshtar. Tani duhet të jemi të fokusuar te ndeshja e ardhshme dhe të japim maksimumin për të marrë rezultat pozitiv".
"Grupi që kemi na jep besim se mund të arrihet gjithçka nëse jemi të bashkuar. Kemi gjithçka që na duhet për të besuar se në ndeshjen e ardhshme do të kemi suksesin e njëjtë sikur me Suedinë dhe do të rrisim gjasat ndjeshëm për ëndrrën e madhe që është kualifikimi, kur kësaj i shtojmë edhe përkrahjen e jashtëzakonshme nga tifozët gjithçka do të jetë më e lehtë”, shtoi Gallapeni.
Kujtojmë, Kosova me tre pikë të mbledhura renditet e dyta pas Zvicrës. “Dardanët” muajin e ardhshëm e presin Slloveninë në “Fadil Vokrri”, e tre ditë më vonë udhëtojnë për në Suedi./Telegrafi/


