Please enter at least 3 characters.

Fushë Kosova nis fushatën e korrje-shirjeve, mbi 1.900 hektarë të mbjellë me grurë

Komuna e Fushë Kosovës ka nisur fushatën e korrje-shirjeve, ndërsa autoritetet komunale kanë zhvilluar një vizitë në terren për të përcjellë nga afër ecurinë e procesit dhe gjendjen e kulturave bujqësore.

Sipas njoftimit të komunës, këtë vit në territorin e Fushë Kosovës janë të mbjella rreth 1.925 hektarë me grurë, 105 hektarë me elb dhe 50 hektarë me tërshërë.

Komuna bën të ditur se rendimentet e pritura janë të kënaqshme, ndërsa reshjet e fundit nuk kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat drithore.

Po ashtu, është bërë e ditur se janë siguruar kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e procesit të korrjes.

“Komuna disponon numër të mjaftueshëm të autokombajnave për zhvillimin e procesit, respektohet çmimi i propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe të gjitha autokombajnat janë të pajisura me mjete kundër zjarrit, në përputhje me masat e sigurisë”, thuhet në njoftim.

Autoritetet komunale kanë theksuar se do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër procesin e korrje-shirjeve, me qëllim që ai të zhvillohet pa pengesa dhe në përputhje me standardet e sigurisë. /Telegrafi/