Please enter at least 3 characters.

Fundi pas 24 vitesh? Jimmy Kimmel thuhet se po e humb shfaqjen e tij

Sezoni i ardhshëm i emisionit “Jimmy Kimmel Live!” mund të jetë i fundit për moderatorin e njohur amerikan, nëse do t’u besohet raportimeve të portalit Page Six.

Sipas këtij mediumi, emisioni i transmetuar nga ABC pritet të përfundojë në maj të vitit 2027, pas gati 24 vitesh në ekran. Page Six citon një burim të afërt me situatën, i cili pretendon se kontrata e Kimmel nuk do të rinovohet.

“Kontrata e tij nuk do të rinovohet”, ka deklaruar burimi për Page Six.

Kimmel, i cili njihet për nënshkrimin e kontratave vetëm për nga një vit, një praktikë relativisht e pazakontë në industrinë televizive amerikane, e ka drejtuar emisionin që nga viti 2003. Kjo e ka bërë atë një prej moderatorëve me karrierën më të gjatë në programet amerikane të mbrëmjes së vonë.

Megjithatë, ABC Entertainment i ka mohuar kategorikisht pretendimet e Page Six, duke i cilësuar ato si të pasakta.

“Ky informacion nuk është i saktë. Të gjitha raportimet rreth të ardhmes së emisionit në këtë moment janë thjesht spekulime”, deklaroi një zëdhënës i ABC Entertainment.

Burimet e Page Six pretendojnë se një përfundim i mundshëm i emisionit nuk lidhet me marrëdhënien e tensionuar të Kimmel me administratën e Donald Trumpit.

Kimmel është përplasur vazhdimisht me presidentin amerikan dhe, në fillim të këtij viti, shkaktoi reagime pasi bëri shaka duke thënë se Melania Trump “shkëlqen si një e ve e ardhshme”.

Komenti u bë vetëm disa ditë para një tentative të tretë për atentat ndaj Trumpit, pas së cilës presidenti bëri thirrje publikisht që ABC ta largonte Kimmel nga emisioni.

Trump e kishte kritikuar më herët moderatorin edhe për deklaratat e tij lidhur me vrasjen e Charlie Kirkut në shtator të vitit 2025, pas së cilës Kimmel u largua përkohësisht nga programi. Në atë periudhë, Disney drejtohej nga Bob Iger.

Sipas burimeve të Page Six, drejtuesi i ri i Disney, Josh D’Amaro, nuk ka ndërmend të lejojë që presioni politik të ndikojë në vendimet e kompanisë.

“Nuk ka frikë nga administrata. Josh nuk tërhiqet”, ka deklaruar një burim nga industria televizive.

D’Amaro thuhet se u ka ofruar drejtuesve me përvojë paketa për largim të parakohshëm në pension, në kuadër të ristrukturimit dhe përpjekjeve për uljen e kostove në kompani.

Pikërisht shkurtimet e shpenzimeve mund të jenë një prej arsyeve që kontrata e Kimmel të mos rinovohet. “Kjo nuk do të kishte asnjë lidhje me Trumpin”, ka deklaruar një burim nga ABC.

- YouTubeyoutu.be

Raportimet për të ardhmen e “Jimmy Kimmel Live!” vijnë pasi Rosie O’Donnell e zëvendësoi Kimmel për katër net radhazi dhe arriti të tërheqë një numër të konsiderueshëm shikuesish.

Vëmendje të veçantë mori momenti kur ajo u tall me kundërshtarin e saj të kahershëm, Donald Trump, duke interpretuar një parodi të këngës tradicionale irlandeze “Danny Boy”, të cilën e quajti “Donnie Boy”. Videoja e performancës u bë shpejt virale në rrjetet sociale.

Një ditë pas paraqitjes së parë të O’Donnell, ABC dhe Disney ngritën padi ndaj Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC) në SHBA, duke e akuzuar atë për cenim të së drejtës së tyre për lirinë e shprehjes, pasi komisioni kishte kërkuar që licencat e transmetimit të ABC-së të rishikoheshin më herët se zakonisht.

E gjithë kjo situatë rreth emisionit të Kimmel vjen në një periudhë ndryshimesh të mëdha në skenën amerikane të programeve “late-night”. Në maj, CBS i dha fund transmetimit të “The Late Show with Stephen Colbert”, duke shtuar pasigurinë rreth të ardhmes së disa prej emisioneve më të njohura të këtij formati në SHBA. /Telegrafi/

- YouTubeyoutu.be