Fund pritjeve të gjata? FIFA sjell ndryshimin e madh në vendimet për pozicionin jashtë loje
FIFA ka prezantuar një teknologji të re të avancuar për pozicionin jashtë loje, e cila do të debutojë në Kupën e Botës 2026 dhe pritet të reduktojë ndjeshëm rastet kur arbitrat anësorë vonojnë ngritjen e flamurit.
Sistemi i ri gjysmë-automatik do të dërgojë sinjale audio në kohë reale tek arbitrat anësorë sa herë që një lojtar ndodhet më shumë se 10 centimetra në pozicion jashtë loje.
Kjo do t’u mundësojë zyrtarëve të reagojnë më shpejt dhe të shmangin vazhdimin e panevojshëm të aksioneve, një praktikë që shpesh ka shkaktuar pakënaqësi te futbollistët dhe tifozët.
Ndryshe nga versionet e mëparshme të testuara në Kupën e Botës për Klube dhe Kupën Interkontinentale, ku sistemi sinjalizonte vetëm rastet me më shumë se 50 centimetra jashtë loje, teknologjia e re është shumë më e ndjeshme dhe e saktë.
Megjithatë, vendimi final do të mbetet në duart e arbitrit anësor.
FIFA beson se ky zhvillim do të ndihmojë edhe në parandalimin e lëndimeve të panevojshme.
Rasti i sulmuesit të Nottingham Forest, Taiwo Awoniyi, i cili pësoi një dëmtim të rëndë pas përplasjes me shtyllën në një aksion që më vonë rezultoi jashtë loje, konsiderohet një nga arsyet që ka shtyrë drejt përshpejtimit të këtij projekti.
Një tjetër risi për Botërorin 2026 do të jetë përdorimi i avatarëve tredimensionalë të krijuar me inteligjencë artificiale për secilin prej 1,248 futbollistëve pjesëmarrës.
Çdo lojtar do t’i nënshtrohet një skanimi dixhital që zgjat vetëm një sekondë, duke mundësuar animacione shumë më të qarta dhe më të sakta gjatë analizimit të rasteve të diskutueshme.
Po ashtu, FIFA ka miratuar teknologji të reja që do të përcaktojnë me saktësi nëse topi ka dalë jashtë vijave të fushës përpara shënimit të një goli.
Një çip i vendosur brenda topit do të identifikojë gjithashtu lojtarin që e ka prekur i fundit, duke ndihmuar VAR-in në vendime të rëndësishme si goditjet nga këndi apo autet.
Federata Botërore ka zgjeruar edhe përdorimin e rikrijimit 3D në kohë reale për rastet kur vlerësohet nëse një lojtar në pozicion jashtë loje ka penguar shikimin e portierit.
Sistemi do të ofrojë pamje virtuale nga këndvështrimi i portierëve, duke e bërë më të lehtë dhe më transparent marrjen e vendimeve nga VAR-i.
Me këto inovacione, FIFA synon ta bëjë Kupën e Botës 2026 turneun më të avancuar teknologjikisht në historinë e futbollit. /Telegrafi/


