Please enter at least 3 characters.

“Fshati i Atletëve” për Lojërat Mesdhetare, prezantohet plani për zgjerimin e Qendrës së Studentëve

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në prezantimin e projektit ideor për rinovimin dhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas njoftimit, renovimi, zgjerimi dhe modernizimi i infrastrukturës strategjike arsimore dhe sportive në Prishtinë konsiderohet një nga projektet kryesore në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, përmes Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), në funksion të organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Kurti tha se synimi është krijimi i kushteve më të mira për studim dhe banim për studentët, duke përmendur edhe rritjen e mbështetjes përmes bursave.

“Do të na keni pranë, sepse synimi ynë është që të krijojmë kushte edhe për studim edhe për banim për studentët tanë. Në vijim do ta dyfishojmë edhe buxhetin për bursa edhe numrin e bursave për studentë”, është shprehur Kurti.

Ai theksoi se Qeveria synon që përmes projektit të Lojërave Mesdhetare të rregullohet i gjithë kampusi universitar me kapacitete shtesë dhe pajisje moderne, duke e cilësuar prezantimin e projektit si të rëndësishëm.

“Synojmë që t'i përdorim Lojërat Mesdhetare 2030, që të rregullohet komplet kampusi universitar me kapacitete shtesë, me pajisje moderne dhe gjithashtu me kushte të përshtatshme për jetesë aty. Dhe, mu bë qejfi kur e pashë prezantimin e projektit”, ka deklaruar ai.

Sipas projektit të prezantuar, në Qendrën e Studentëve parashihet zgjerimi i kapaciteteve akomoduese në 4,500 shtretër, renovimi i plotë i konvikteve ekzistuese, renovimi i palestrës “1 Tetori” dhe i mensës së studentëve, si dhe ndërtimi i tri objekteve të reja të konvikteve.

Po ashtu, projekti parashikon ndërtimin e një salle multi-funksionale, një pishine gjysmë-olimpike dhe shtimin e funksioneve të tjera plotësuese arsimore, sportive, rekreative dhe argëtuese.

Me këtë projekt synohet transformimi i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e cila gjatë Lojërave Mesdhetare pritet të shërbejë si “Fshati i Atletëve”, ndërsa më pas, sipas institucioneve, do të mbetet investim afatgjatë në shërbim të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë.

Kurti, duke falënderuar institucionet përfshirë AFD-në, tha se objektet dhe infrastruktura që do të ndërtohen apo renovohen do të shërbejnë edhe pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare.

“Agjencia Franceze për Zhvillim… po na ndihmon që të përgatitemi sa më mirë për vitin 2030… sepse të gjitha objektet, infrastruktura përcjellëse që do të ndërtohet ose rinovohet na ngelet edhe më pastaj”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/