“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” sjell satirë politike dhe kritikë shoqërore në “Talia e Flakës së Janarit 2026”
Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës së Janarit 2026”, publiku gjilanas pati rastin të ndjekë shfaqjen “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, prodhim i Teatrit të Ferizajt “Adriana”, me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj dhe regji të Agon Myftarit.
Shfaqja ngjalli interesim të madh të artdashësve dhe u mirëprit në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, e cila po organizohet nga Komuna e Gjilanit, Drejtoria për Kulturë dhe OJQ “Varg e Vi”. Në sallë ishte e pranishme edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi – Kqiku.
“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” është një vepër që ka një jetë të gjatë skenike, pasi është interpretuar edhe nga teatro të tjera dhe ka lënë gjurmë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Shfaqja trajton një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, periudhën para shpalljes së pavarësisë, kur një trupë teatrore përballet me presion të madh politik dhe institucional për të realizuar një shfaqje solemne, ndonëse gjithçka rreth datës, simbolikës dhe përmbajtjes ishte ende e paqartë.
Përmes situatave absurde dhe komike, shfaqja pasqyron përpjekjet e trupës për të zbuluar sekretin e datës së shpalljes së pavarësisë dhe për të siguruar tekstin e fjalimit të kryeministrit, ndërkohë që realiteti i teatrit mbetet i rëndë dhe i mbushur me vështirësi. Një linjë tjetër narrative lidhet me personazhin e punëtorit teknik, i cili përpiqet të realizojë ëndrrën e tij për të fluturuar dhe për të lobuar për njohjen e Kosovës, por që përfundon në mënyrë simbolike mbi Teatrin e Kosovës.
Kjo shfaqje-komedi politike dhe satirike, përmes ironisë dhe humorit, vendos në qendër të kritikës politikën e kohës, raportin e saj me artin, shoqërinë e pasluftës, korrupsionin dhe rolin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, duke krijuar një dialog të drejtpërdrejtë mes artit dhe realitetit shoqëror.
Në role u paraqitën aktorët e Teatrit “Adriana” nga Ferizaj, Blin Mani, Nexhat Xhokli, Dardane Mehmeti, Sherif Bega dhe Elton Tahiri. Skenografia u realizua nga Mentor U. Berisha, kostumet nga Eleonora Gagica, muzika nga Lindita Isufi, ndërsa ndriçimi nga Hajrullah Elezi. Në realizimin e shfaqjes kontribuuan edhe Avni Ajvazi si mjeshtër skene, Naim Berisha në zërim dhe ton, Krenare Hajdari në grim, Florim Hashani në rekuizitë dhe teknikë skene bashkë me Valmir Hashanin, dizajni grafik nga Ngadhënjim Ismani dhe drejtori i Teatrit, Fatmir Hyseni.
Festivali “Talia e Flakës së Janarit 2026” do të vazhdojë në mbrëmjen e katërt me shfaqjen “God Bless America” nga Teatri i Gjilanit, me autor dhe regjisor Fatos Berisha. /Telegrafi/


