Please enter at least 3 characters.

“Flet shumë, por në realitet nuk bën asgjë”, kampioni i botës ‘sulmon’ brutalisht Yamalin

Eliminimi i Barcelonës nga Liga e Kampionëve kundër Atletico Madrid ka shkaktuar një sërë reagimesh, ku ish-lojtari i kombëtares franceze, Christophe Dugarry, është ndër më të ashprit.

Kampioni i botës i vitit 1998 nuk mungoi në kritikat e tij ndaj të riut Lamine Yamal, duke i thënë se duhet të tregojë më shumë sesa thjesht talent për t'u konsideruar lojtar i klasit botëror.

Dugarry beson se Yamal foli shumë dhe tregoi shumë pak në momentet kyçe. Edhe pse sulmuesi i ri shënoi në fillim të ndeshjes së dytë, francezi pretendon se ai ishte i padukshëm pas kësaj.

“Ai shënoi në minutën e katërt. E çfarë pastaj? Kjo tregon se ai nuk është kandidat për Topin e Artë", ka thënë fillimisht Dugarry, duke shprehur qartë zhgënjimin e tij me kontributin e tij.

Ai shkoi një hap më tej në analizën e tij, duke e krahasuar atë me Ousmane Dembele.

"Dembele do të kishte shënuar disa gola më shumë me siguri. Lamine i vogël pati momentin e tij të lavdisë dhe asgjë më shumë".

Dugarry mendon se egoja e tij është shumë e madhe

Ndërsa pranon se talenti nuk është në diskutim, Dugarry thekson se nuk është i mjaftueshëm. "Ai padyshim që ka talent, por është larg të qenit një nga më të mirët në botë", shtoi francezi.

Kritika më e drejtpërdrejtë ishte për mentalitetin e futbollistit të ri spanjoll.

"Nëse do të flasësh shumë, sigurohu që skuadra jote të fitojë. Në çfarë bote jeton? Në botën reale, nuk bën asgjë. Nuk jam i bindur se Barcelona e meritonte të kalonte tutje duke pasur parasysh performancën e tij. Ai ka një ego të fryrë", përfundoi ish-sulmuesi i njohur.

Yamal ka qenë një lojtar kyç për Barcelonën këtë sezon, duke shënuar 23 gola dhe duke dhënë 18 asistime në 44 paraqitje në të gjitha garat.

Ekipi i tij u eliminua nga Kupa e Mbretit dhe Liga e Kampionëve nga Atletico Madrid, por ata pritet ta fitojnë ligën, duke pasur parasysh avantazhin e tyre prej nëntë pikësh nga tetë ndeshjet prej fundit. /Telegrafi/