“Fjalët kanë peshë”, Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit: Nuk e gjejmë veten as për konsultim
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për një takim konsultativ me qëllim të konsultimit për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të qartë se do t’i qëndrojnë besnik qëndrimit të tyre që të qëndrojnë në opozitë.
“Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme. Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.
Prandaj, ka shkruar ai, secili – veçanërisht ata me pushtet – duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin.
“Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë”.
Tutje kreu i LDK-së, ka thënë se “duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh”.
“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik”.
Abdixhiku duke ia përmend edhe epitetet që ka përdorur Kurti, ka thënë se “’mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”.
“Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës. Besë do të ketë!”, ka shkruar ai.
Kreu i LDK-së ka thënë “Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë. LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj. Sepse fjalët kanë peshë!”
“LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës. LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta”, ka shkruar ai.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
LDK-ja doli e treta, duke i fituar 20 ulëse.
Pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.
Pas LVV-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit, më së shumti vota fitoi Partia Demokratike të Kosovës (PDK) e pastaj LDK-ja.
Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.
Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë shprehur vullnetin për të formuar një qeveri partitë opozitare së bashku, por Abdixhiku – i cili ishte kandidat i LDK-së për pozitën e kryeministrit – ka thënë edhe më herët se LDK-ja nuk ka diskutuar me asnjë parti për mundësi të tilla.
Abdixhiku ka thënë më parë se opsion mund të jetë koalicion me partitë e tjera opozitare vetëm nëse i ofrohet pozita e kryeministrit dhe nëse arrihet marrëveshje për postin e presidentit – pasi presidentes Vjosa Osmani i mbaron mandati në prill 2026. /Telegrafi/


