Fitorja historike e Kosovës i lë me pasoja sllovakët, Calzona rrezikon shkarkimin
Humbja dramatike e Sllovakisë 3-4 ndaj Kombëtares së Kosovës në gjysmëfinalen e fazës eliminatore për Kupën e Botës 2026 i ka dhënë fund shpresave të Sllovakisë për një tjetër paraqitje në turneun më të madh të futbollit botëror.
Por menjëherë pas ndeshjes, vëmendja është zhvendosur te një çështje edhe më e rëndësishme, e ardhmja e përzgjedhësit Francesco Calzona.
A rrezikon shkarkimin Calzona?
Kontrata e trajnerit italian është drejt përfundimit dhe brenda Federatës Sllovake të Futbollit pritet një vendim i shpejtë.
Sipas komentatorit të STVR-së, Marcel Merciak, situata nuk duhet të zvarritet.
“Federata duhet ta zgjidhë këtë çështje sa më shpejt. Kombëtarja ka ndeshje miqësore në qershor dhe objektiva të reja në Ligën e Kombeve, ndaj qartësia është thelbësore”, deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë, ish-reprezentuesi Marian Zeman theksoi se vendimi duhet të bazohet në dy faktorë kyç pra tek performanca e Calzonas deri më tani dhe ekzistenca e një zëvendësuesi të gatshëm.
“A ka bërë punë të mirë? Më shumë po sesa jo. Ekipi është përmirësuar dhe ka krijuar identitet loje, sidomos kundër kundërshtarëve të fortë”, u shpreh Zeman.
“Por nëse ekziston një kandidat i gatshëm, atëherë ndryshimi mund të ndodhë lehtësisht”.
Një nga emrat që përmendet si alternativë është Vladimir Weiss Sr., trajneri aktual i Slovan Bratislavës dhe i vetmi që ka arritur ta kualifikojë Sllovakinë në një Kupë Bote.
Ai shihet si një opsion serioz nëse federata vendos për ndryshim.
Ndërkohë, kapiteni Stanislav Lobotka ka dhënë sinjale mbështetjeje për vazhdimësinë e Calzonas, duke lënë të kuptohet se skuadra është në anën e trajnerit aktual.
Vetë Calzona shmangu të flasë drejtpërdrejt për të ardhmen e tij, duke vënë theksin te skuadra.
“Ky ekip luan futboll të shkëlqyer dhe ka mentalitet të fortë. Me mua apo pa mua, do të vazhdojë të japë maksimumin”, deklaroi ai pas ndeshjes.
Në këtë moment, shkarkimi i Calzonas mbetet një mundësi reale, por jo e sigurt. Vendimi do të varet nga vlerësimi i përgjithshëm i punës së tij, objektivat e ardhshme të federates dhe disponueshmëria e një trajneri më të përshtatshëm.
E sigurt është vetëm një gjë, Federata Sllovake pritet të marrë një vendim të shpejtë, që mund të përcaktojë drejtimin e ekipit për ciklin e ardhshëm garues. /Telegrafi/


