Fillon pastrimi i rrëshqitjeve të dheut në Autostradën “Ibrahim Rugova”
Kanë filluar punimet për pastrimin e dheut në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë–Prizren.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit thekson se ka hartuar projektin për sanimin e skarpateve dhe kontrata është dhënë më 10 prill 2026.
“Megjithatë, për shkak të ankesave, ky projekt po mbahet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), përtej çdo afati të arsyeshëm.
Sikur OShP-ja të ishte më efikase dhe të mos kishte zvarritje të panevojshme, sot projekti i sanimit do të ishte duke u realizuar, ndërsa qytetarët nuk do të përballeshin me dhe e rrëshqitje në rrugë”, thuhet në njoftim.
Ministria thekson se autoudha po pastrohet nga rrëshqitjet e dheut dhe falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar për këto vonesa të shkaktuara.
“Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti i ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe nuk do të ndalemi së intervenuari aty ku ka rrezik për qarkullimin dhe jetën e tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


