Please enter at least 3 characters.

Filkov: Në partneritet me OKB-në, jemi të orientuar drejt modernizimit të gjyqësorit

Transformimi digjital i sistemit gjyqësor ishte në fokusin e takimit që ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, e realizoi me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektuese (UNOPS).

Në takim morën pjesë koordinatore e përhershme e OKB-së në Maqedoni, Rita Columbia, drejtoresha rajonale e UNOPS, Mikela Talin, përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Tanja Temelkoska, si dhe Marko Vujaciq, udhëheqës i programit të UNOPS për Evropën Juglindore.

Bashkëbiseduesit diskutuan për vendosjen e një partneriteti strategjik të orientuar drejt modernizimit të gjyqësorit, me qëllim krijimin e një sistemi gjyqësor më efikas, më transparent dhe më të qasshëm.

U dakorduan aktivitete të ardhshme që përfshijnë:

përmirësimin e sistemit AKMIS,
futjen e dorëzimit elektronik në procedurat gjyqësore,
avancimin e sistemeve për incizim audio dhe video të seancave gjyqësore,
përmirësimin e lidhjes ndërinstitucionale,
forcimin e sigurisë kibernetike në sektorin gjyqësor.

Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se përvojat e UNOPS në realizimin e projekteve të ngjashme në vendet e rajonit paraqesin mbështetje të rëndësishme për proceset reformuese vendore.

Ministri Filkov ka nënvizuar se Ministria mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi gjyqësor modern që do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe do të jetë i harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, duke shtuar se mbështetja nga Kombet e Bashkuara është me rëndësi të veçantë për realizimin e suksesshëm të reformave.