Ferizajasit kërkojnë takim me Svarqën
Përfundimi i stinorit vjeshtor e gjen skuadrën e Ferizajt në pozitë aspak të lakmueshme, pasi me vetëm 14 pikë të tubuara ky ekip përmbyllë tabelën e klasifikimit. Kësisoj, ferizajasit mbesin skuadra më e rrezikuar për të humbur statusin e anëtarit elitar. Për të nxjerr klubin nga kjo situatë, zyrtarët ferizajas kanë kërkuar një takim me kryetarin e Komunës, Muharrem Svarqën. Takimi pritet të mbahet ditën e premte.
“Siç dihet, klubi jonë stinorin vjeshtor e ka mbyllur me shumë vështirësi në aspektin financiar, me ç’rast ende nuk i kemi kryer të gjitha obligimet financiare ndaj lojtarëve. Kjo ka ndikuar që edhe rezultatet e ekipit të jenë të dobëta. Andaj, për të shqyrtuar mundësinë e daljes nga kjo situatë kam kërkuar një takim me kryetrarin e komunës, Muharrem Svarqa nga i cili do të kërkojmë të na ndihmoj financiarisht”, u shpreh për SportPlus drejtori i ekipit ferizajas, Naim Sojeva.
Tuje, ai tha se vetëm pas takimit me kryetarin e komunës do të dihen mundësitë e klubit për të bërë disa përforcime. “Padyshim që skuadra ka nevojë për përforcime të ekipit, mirëpo klubi nuk po ka mundësi të kërkojë nga trajneri listën e lojtarëve që atij i nevojiten pa i ditur mundësitë buxhetore që i ka. Për këtë çështje do të bisedojmë me trajnerin, vetëm pas takimit me kryetarin, pasi aty presim të qartësojmë edhe çështjen e buxhetit për stinorin pranveror”, shtoi Sojeva.
Krejtësisht në fund ai ka falënderuar kompanitë ‘Hib Petrol’ dhe ‘Eskavatori’ për ndihmën që i kanë dhënë klubit në stinorin që sapo lamë pas. /Telegrafi/


