Please enter at least 3 characters.

Fenomeni i “serialmanisë”, shkaqet dhe pasojat

Kur gjërat që i duam na i rrezikojnë vlerat dhe parimet, shpesh herë këtë rrezik e perceptojmë dhe trajtojmë si prurje të kohës, dhe moment për ndryshim vlerash dhe parimesh, dhe e gjithë kjo jo pse njëmend ka ardhur koha por për shkak se emocioni e mundë arsyen.

Ndër prurjet e ndryshme që e kanë pushtuar Kosovën, viteve të pas luftës, në shtegun e mediave dhe masmediave, është shumë i theksuar edhe invazioni i filmave serik të një zhanri të veçantë, të njohur edhe me emrin telenovela. Shikueshmëria e lartë dhe lidhja emocionale, që kosovarët e kanë krijuar viteve ë fundit me këta filma serik, është e pamohueshme, madje edhe shqetësuese. Nuk ka nevojë të bëhen hulumtime të detajuara për ta konfirmuar këtë lidhje. Secilit prej nesh i ka ndodhur që në ndejën më të mirë njëri nga shokët të flas për emra aktoresh, të bëjë krahasime te personave real ne jetë me ata te serialit, madje ndonjërit mund t’i ketë ndodhur që në ndejën më të mirë, të braktiset nga shokët për arsye se seriali ka filluar!

Prej nga e gjithë kjo mani për këto seriale televizive? Shkaqet!

Që nga ideja bazë, duke vazhduar me shkrimin e skenarit, përzgjedhja e aktorëve, përzgjedhja e vendeve ku gjirohen skenat, deri të forma se si do të përmbyllet i tërë filmi, janë një zinxhirë kurthesh mirë te menduara, të cilat e mbajnë shikuesin në tërheqje dhe në gjendje pritjeje.

Skenarët e këtyre filmave serik, në esencë, janë shumë pak të dallueshëm nga njeri tjetri. Aty gjithnjë shtjellohen tema me përmbajtje romantike, të ngjyrosura qëllimisht me momente erotike e pornografike. Natyra njerëzore është e predispozuar që të shijojë skena me përmbajtje erotike, dhe një gjë e tillë, në strukturën sociale të familjeve tona, është vështirë e mundshme, mirëpo një gjë të tillë do ia mundësojmë vetës kur fshihemi nën petkun e të shikuarit të një filmi më përmbajtje “sociale”. Dhe, kështu mbetemi në një formë edhe të arsyetuar para vetës dhe të tjerëve, edhe te kënaqur në baza instiktive.

Një element tejet i rëndësishëm në tërheqjen e shikueshmërisë janë edhe aktorët. Mirë të përzgjedhur nga ana e regjisorëve. Ata ekskluzivisht janë të pajisur me sensin e tërheqjes fizike natyrale, sharmë dhe bukuri. Dhe, është shumë normale që njerëzit të gjenden të ulur përballë televizorit, kur aty shfaqen njerëz të bukur. Është shumë e natyrshme, dhe gjithashtu me bazë instiktive që ta pëlqejmë dhe të tërhiqemi nga e bukura. Dhe këtu fillon të ndodhë një fenomen interesant, sepse ajo që në shikim të parë na duket e bukur dhe tërheqëse, ne dimensionet tjera është kurthi shkatërrues. Bukuria e aktorëve përdoret në këto raste si teknika e ‘Kalit të Trojës’, që ti mbajë shikuesit afër, ndërsa antivlerat që ofrojnë aktorët përmes këtyre skenarëve integrohen të shikuesi pa dijeninë e tij. I bie të jetë kështu: e shikon të bukuren, ndërsa e absorbon, përfiton, merr të keqe dhe e gjithë kjo pa dijeninë tonë.

Përzgjedhja e skenave, gjithmonë te këto seriale, vërehet se bëhet mbi bazën e gjetjes së vendeve tërheqëse, dhe pak a shumë me pamje nga vendbanimet luksoze. Dëshira e njeriut për të jetuar ne kushte luksoze është e vjetër sa edhe vet njeriu. Kur kjo dëshirë nuk plotësohet, atëherë në këmbim të sajë neve na hyn ne funksion një mekanizëm mbrojtës psikologjik që quhet fantazi, dhe qe sadopak e zbutë këtë mungesë. Shikuesit të përqendruar mirë në rrjedhat e filmit jo rrallë herë e integrojnë edhe vetën atje, duke u personifikua e identifikua me rrole dhe aktorë të ndryshëm, çka do të thotë se ata për ca qaste në fantazinë e tyre jetojnë atje me aktorë dhe ngjarjen. Dhe e gjithë kjo fantazi nuk është vështirë të nxitet, sidomos në vendet ku kushtet e jetesës janë në nivele të ulëta.

Për fat te keq, kjo fantazi nuk është prej atyre frytdhënëse, por prej fantazive që e mbajnë njeriun larg realitetit, dhe kthimi ne realitet, që një ditë do të bëhet i domosdoshëm, mundë të jetë i dëmshëm në aspektin psikologjikë dhe social për vet fantazuesit.
Tutje; i gjithë ky bashkim faktorësh magnetik, kryesisht me prirje për të gjetur rehati e përkrahje në baza emocionale dhe të instiktive të shikuesit, nuk është asgjë tjetër veçse një rrjet kurthesh për të grumbulluar shikuesi, dhe rrjedhimisht e përfundimisht për përfitime materiale.

Procesi i absorbimit dhe integrimit të antivlerave nga serialet dhe pasojat

Kombinimi i mirë i këtyre faktorëve të lartshënuar tashmë vetëm e ka siguruar shikueshmërinë, dhe fund e fillim ky është qëllimi i mediave: sa ma shumë shikues aq më shumë para. Tashmë qëllimi i qartë i industrisë së këtyre prodhimeve nuk e kursen as një mjet, madje në këtë rast, edhe infektimin e shikuesve me antivlera dhe shkaktar të tjerë trazimeve psiko-sociale.

Në dëgjim të parë mund të duket absurde kur aludojmë se rritja e numrit të divorceve, dhunës në familje, aborteve e madje edhe vetëvrasjeve, e një mori pasojash të ngjashme mund të jenë të ndikuara edhe nga filmat serik. Mirëpo, në një analizë më të thellë të çështjes, do kuptojmë se ndikimi i tyre tek shikuesi është një proces i gjatë e i ngadalshëm, por për fat të keq shumë efikas. Shikuesit kosovarë janë subjekte sociale të formuara në kushte shumë të veçanta.

Kryesisht jemi formuar nën regjimin e traditës shumë të ashpër, në aspektin moral, në një rreth pak a shumë religjioz, me norma të rrepta morale, të përgatitur për ta gjykuar çdo vepër amorale, pa marrë parasysh se nga kush është kryer; kushërini, prindi, motra, vëllai apo kush do qoftë, ajo është dënuar rreptë. Të tilla si: tradhtia bashkëshortore, aborti, incesti e të ngjashme, kanë qenë rëndë të dënuara nga normat në të cilat ne jemi rritur e madje edhe vet i kemi kultivuar. Ndërsa ngjarjet që shtjellojnë këto seriale në vete ngërthejnë, gjatë gjithë kohës, shumë nga këto tabu të dikurshme të popullit tonë.

Si shikues aktiv, ata në fillim këto ngjarje brenda filmit i gjykojnë, bazuar ne bagazhin e vlerave të tyre tradicionale edhe fetare, mirëpo kjo ndodhë fillimisht. Të qenit çdo ditë i ekspozuar ndaj këtyre filmave, shikuesi fillon që personalisht të adaptohet me ato ngjarje. Me vonë gjykimet shuhen dhe pas qindra episodesh nga lidhja emocionale me filmin shikuesit kanë gjasë të madhe të fillojnë edhe t’i arsyetojnë këto ngjarje. Arsyetimi i tyre do të thotë pranim dhe integrim i tyre brenda vlerave dhe qëndrimeve personale. Thotë një fjalë e mençur: “me kon të rrish qashtu bahesh”.

Pikërisht procesi personal i ndryshimit të qëndrimeve ndaj këtyre çështjeve besoj të jetë kyçi i shkaktimit të pasojave të lartpërmendura. Shikuesit e këtyre serialve, të infektuar me atë mënyrë jetese dhe të inspiruar, tashmë vetëm se e fitojnë një ambicie me tendenca për ta imituar atë çfarë e kanë absorbuar. Ky hap personal tashmë nuk është i lehtë të hidhet në një rreth social që e gjykon dhe dënon atë. Nuk është i lehtë për arsye se shkaktohet një ballafaqim mes individit dhe rrethit.

Të pa pranuara për rrethin, këto çështje fillojnë të sulmohen bashkë me ata të cilët kanë tendenca t’i implementojnë. Dhe kjo pamundësi e implementimit të asaj çfarë kemi parë, kopjuar e përvetësuar tashmë bëhet sfidë psikologjike, edhe problem social i radhës për individin.

I paaftë për t’i ushtruar ato tendenca, ai fillon të kërkojë rrugë alternative, të cilat jo rrallë here bien ndesh me vlerat, normat dhe ligjet e kësaj shoqërie, dhe si pasojë mbetet jashtë rrethit i stigmatizuar, përbuzur dhe bojkotuar. Pa dyshim, kjo gjendje do të shkaktojë trauma psikologjike dhe pasoja sociale. Të gjithë këtë do të doja ta sqarojë kështu: Një vajzë adoleshente, e rritur në familje kosovare patriarkale, e cila deri dje s’ka guxuar nga familja as të mendojë të ketë një të dashur e lere më t’i ndërrojë.

E rritur në këtë frymë dhe këtë ambient, ka qenë e bindur se kjo është e vetmja mënyrë e të jetuarit të moshatareve të saj. Kontakti i saj me këta filma e mësoi atë se, në kohen në të cilën ajo jeton, moshataret e saj mund të kenë jo një të dashur por disa, ato guxojnë të abortojnë, të braktisin familjen për të dashurin e një mijë maskarallëqe të tjera. Vajza tani i di këto, dhe ngritë në vete pyetjen; ‘pse unë mos të kem drejtë’? E inspiruar, dhe me qëndrime të ndryshuara, ajo tashmë e vë një hap, mirëpo këtë ndryshim nuk e ka pësuar familja, rrethi e sidomos prindërit, dhe këtu fillon ballafaqimi me të tjerët dhe me vetën.

Kjo përleshje vlerash, qëndrimesh, antivlerash, botëkuptimesh, ambiciesh, dëshirash dhe emocionesh dikujt nga rrethi i kushton me stres, ankth, frustrim, agresivitet, e që të gjitha këto procese të brendshme, kur përkthehen ne sjellje sociale, rezultojnë në divorce, vetëlëndime, dhunë familjare, narkomani etj, që shumë pak i duhen sot Kosovës.

Të gjitha këto përshkrime dhe konkluza janë hipotetike, të bazuara ekskluzivisht në vëzhgime dhe analiza shumë personale, mirëpo që me të vërtetë më shkaktojnë brenga dhe përgjegjësi profesionale. Dhe për mendimin tim, më të rrezikshme janë serialet për Kosovën se sa ngrohja globale, terrorizmi e mbushjet bërthamore për botën. Këto nuk na e rrezikojnë gjendjen fizike momentale, për identitetin kombëtar.

(Autori është bachelor i psikologjisë)