Fëmija në gjendje stabile pas lëndimit nga zjarri në një ndërtesë në Prishtinë, të lënduar lehtë edhe pesë zjarrfikës
Një fëmijë është në mesin e të lënduarve në zjarrin që ka përfshirë kulmin e një ndërtese në rrugën “Isa Kastrati”, në Prishtinë, në orët e mëngjesit.
Gjendja e tij është stabile ka bërë të ditur për KP, drejtori i Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.
“Është trajtuar në Qendrën e Emergjencës , ende është në observim, gjendja stabile, do të transferohet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për vazhdim të tretmanit”, tha ai.
Ndërkaq në këtë incident, sipas drejtorit për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica ka mbetur i lënduar edhe një banor tjetër si dhe pesë zjarrfikës kanë marrë lëndime të lehta gjatë intervenimeve në shuarjen e zjarrit.
Sipas Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 07:30 të mëngjesit ku pas pranimit të informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e zjarrfikësve dhe ekipet mjekësore.


