Faqja e re e basketbollit
Këtë muaj nis një faqe e re në basketbollin e Kosovës. Përfaqësuesja U-16 dhe ajo U-20 do të marrin pjesë në Kampionate Evropiane. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të premten, i ka prezantuar ekipet të cilat do ta përfaqësojnë vendin tonë në këto dy kompeticione.
Historia e basketbollit kosovar do të shkruhet më 6 korrik, kur Kosova U-16 do të luajë me Gjibraltarin në evenimentin që do të mbahet në San Marino. Kjo skuadër do të marrë pjesë në Divizionin C, kurse Kosova U-20 do të jetë pjesë e Divizionit B, Grupi B, së bashku me Gjeorgjinë, Portugalinë, Malin e Zi dhe Luksemburgun.
Garat e këtij Divizioni do të zhvillohen prej 9 deri më 19 korrik 2015 në Szekesfehervar të Hungarisë. Kosova ndeshjen e parë do ta luajë me Portugalinë më 9 korrik.
“Kjo është hera e parë dhe është kënaqësi t’ua prezantoj ekipet që do ta përfaqësojnë vendin. Hapi historik do të shkruhet më 6 korrik, kur Kosova U-16 do të luajë në San Marino ndaj Gjibraltarit”, deklaroi në konferencë për shtyp, presidenti i FBK-së, Eroll Belegu.
“Shpresoj se do të kemi sukses në të dyja garat. Ekipet janë grumbulluar qe një kohë të gjatë, duke zhvilluar ndeshje kontrolluese”, vazhdoi kreu i basketbollit kosovar.
Të dy trajnerët, Ilir Selmani (U-20) dhe Chris Dial (U-16), premtuan se do ta nxjerrin më të mirën nga lojtarët e tyre, në mënyrë që Kosova të ketë prezantim sa më dinjitoz në dy Kampionatet Evropiane, të moshave të ndryshme. Ndër të tjera, FBK-ja prezantoi edhe dy sponsorët që do t’i mbështesin Përfaqësueset e dy grup-moshave, IPKO dhe TEB.
Përfaqësuesit e dy sponsorëve thanë se kompanitë, të cilave ata ju takojnë, ndihen të privilegjuara që e mbështesin basketbollin kosovar. Kontingjentet kosovare do të nisen për në Hungari dhe San Marino, të shtunën dhe të dielën.


