Faik Sardag me album për Kosovën (Video)
Pas Prizrenit, muzikanti Faik Sardag erdhi në Prishtinë për të promovuar albumin e tij më të ri muzikor të titulluar “Malet e Sharrit”.
I inspiruar nga vendlindja e prindërve, Kosova, këngët e tij flasin për jetën e tij private, për politikën e madje edhe familjen e tij, raporton emisioni “Express” në KTV.
“E fillova këtë projekt para dy vjetësh, pak pasi erdha në Kosovë. Gjatë kohës sa po punoja, nga këtu u inspirova për t'i shkruar disa këngë, kjo është edhe arsyeja që kam vendosur ta quaj albumin “Malet e Sharrit”, është i stileve folk dhe muzikës pop. Kënga e parë quhet “Stand up little ant" dhe e kam shkruar para se të vija në Kosovë, sepse ndihesha i vogël si një milingonë, pasi kisha frikë të vija sepse babai im nuk më foli kurrë për këtë vend dhe ardhja këtu ishte një hap shumë i madh në jetën. Më pas kam shkruar edhe shumë të tjera që kanë të bëjnë me dashurinë dhe eksperiencat e mia jetësore”.
Performanca e tij në Prishtinë ishte pas asaj në Prizren, ku për herë të parë u bë promovimi i albumit në Kosovë. Faiku bashkë me bendin e tij interpretuan në kuadër të festivalit “Bunar Fest”. Kënaqësi të madhe e quan muzikanti, çdo interpretim të tij para publikut kosovar.
“Kjo është hera e tretë në Kosovë, fillimisht ishim në “Bunar Fest”, kishim koncert atje, ndërsa Prishtina sonte është duke u bërë shumë më argëtuese. Në Prizren luajtëm në “Lum Bardh”, isha atje vitin e kaluar në DokuFest dhe edhe kësaj here ishte shumë mirë, kishte shumë njerëz që këndonin, vallëzonin, kështu që unë ia kalova shumë mirë. Kjo me gjasë është hera e gjashtë apo shtatë që performoj në Kosovë dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë. Jam duke performuar në shtetin e zemrës sime dhe jam shumë i lumtur sa herë që vij këtu. Babai im është nga Prizreni dhe për herë të parë erdha në këtë shtet të mrekullueshëm para dy vjetëve dhe ishte shumë emocionuese për mua”.
Për dallim nga prezantimi i tij i fundit në Kosovë, Faik Sardag, këtë herë erdhi bashkë me bendin e tij nga Franca, të cilët së bashku, krijuan një atmosferë të mrekullueshme në Prishtinë.


