Europol realizoi operacionin më të madh kundër drogave sintetike, u shkatërruan 24 laboratorë
Europol ka realizuar një aksion të madh që çoi në shkatërrimin e një rrjeti kriminal të drogës që vepronte në gjithë Bashkimin Evropian (BE). Aksioni u zhvillua më 16 janar në Poloni, Belgjikë, Gjermani dhe Holandë.
Këto aksione ishin të fokusuar ndaj një rrjeti për të cilin dyshohej se importonte sasi të mëdha të prekursorëve që përdoren për prodhimin e drogave sintetike në laboratorë në disa vende.
Përveç kësaj, rrjeti merrej me aktivitete pastrimi parash për të avancuar operacionet e tij të paligjshme.
Në një operacion njëvjeçar me emrin koduar "Fabryka", morën pjesë organet e zbatimit të ligjit dhe organet gjyqësore nga Belgjika, Çekia, Gjermania, Holanda, Polonia dhe Spanja.
Gjatë hetimeve, organet e zbatimit të ligjit konstatuan se rrjeti mund të ketë importuar më shumë se 1000 tonë prekursorë, një sasi e mjaftueshme për prodhimin e 300 tonëve drogave sintetike si MDMA, amfetamina dhe katinoni.
Vlerësohet se aktivitetet e paligjshme gjenerojnë miliarda fitime kriminale për rrjetet e përfshira. Pasuritë kriminale futen në ekonominë legale, duke krijuar rreziqe të konsiderueshme për shqetësimin e tregut, konkurrencën e pandershme dhe infiltrimin sistematik të krimit të organizuar në bizneset legjitime.
Ky rrjet ishte përgjegjës për importin, ripaketimin dhe shpërndarjen e prekursorëve që përdoren në prodhimin e drogave sintetike, dhe gjatë aksionit u shkatërruan 24 laboratorë.
Kimikatet, me origjinë nga Kina dhe India, hynin në BE përmes vendeve të ndryshme dhe transportoheshin në Poloni për ripaketim dhe shpërndarje më tej në laboratorë të paligjshëm në gjithë BE-në.
Gjatë aksionit u arrestuan gjithsej 20 persona, prej të cilëve 19 në Poloni dhe një në Gjermani.
U krye bastisja e 50 shtëpive, u konfiskuan nëntë automjete, si dhe prona të vlerësuara në 2.5 milionë euro, sasi të mëdha kimikatesh dhe prekursorësh, si dhe plantacione marihuanë me më shumë se 2000 bimë. /Telegrafi/


