Erion Sadriu flet për finalen e Kupës së Kosovës, objektivat personal dhe të ekipit në Superligë dhe për të ardhmen
Ylli i Ferizajt, Erion Sadriu ka folur për momentin më të rëndësishëm të sezonit dhe rrugëtimin e skuadrës së tij, duke e cilësuar finalen e Kupës së Kosovës si një shpërblim për gjithë punën e bërë gjatë vitit. Në një intervistë për Telegrafin, ai ka theksuar se ekipi ka arritur shumë, por ende nuk ka përfunduar misioni kryesor.
Sulmuesi anësor është njëri nga lojtarët më të dalluar të Ferizajt këtë edicion, duke shënuar 4 gola dhe 2 asistime, teksa ishte vendimtar edhe në ndeshjet e Kupës, ku ndihmoi ekipin e tij të arrijë finalen falë dy golave këtë edicion, ku njëri erdhi pikërisht në gjysmëfinalen e parë ndaj Llapit.
Në një intervistë për Telegrafin, reprezentuesi i Kosovës U-21 e ka cilësuar si arritje të madhe kalimin në finalen e Kupës, teksa ka nënvizuar motivimin dhe besimin që skuadra e tij ka para finales së Kupës së Kosovës, duke mos e fshehur respektin për kundërshtarin, Dukagjinin, por edhe ambicien për të sjellë trofeun në Ferizaj.
Sadriu gjithashtu ka folur edhe për objektivat e tij personal, por edhe për ato ekipore këtë edicion, ku synimi i madh është të sigurojnë sa më shpejt mbijetesën në Superligën e Kosovës.
“Është një arritje shumë e madhe për klubin dhe për ne si grup. Kemi punuar shumë gjatë gjithë sezonit dhe kjo është një shpërblim për atë punë. Jemi të lumtur, por e dimë që ende nuk kemi arritur asgjë pa e fituar finalen”, ka thënë fillimisht Sadriu për Telegrafin.
“Normalisht që çdo lojtar ëndërron ta fitojë trofeun. Ne do të hyjmë në finale me shumë motivim dhe besim, por me shumë respekt për kundërshtarin. Do të japim maksimumin dhe shpresojmë që këtë herë ta sjellim kupën në Ferizaj”.
“Situata në kampionat nuk është e lehte, por gjithçka varet nga ne. Duhet të mbetemi te fokusuar dhe të marrim pikët e nevojshme. Besoj që kemi cilësi për ta siguruar mbijetesën”.
“Dua të vazhdoj të rritem si lojtar dhe të jem sa me i dobishëm për ekipin në çdo ndeshje. Po punoj fortë çdo ditë që të shënoj apo të asistoj në fushë. Normalisht, kur punon mirë vijnë edhe interesimet apo ofertat nga jashtë, por fokusi im tani për tani është te Ferizaj dhe te objektivat që kemi këtë sezon, pastaj duhet t’i shqyrtojmë cila është më e mira për të dyja palët”, përfundoi ylli i Ferizajt. /Telegrafi/


