Please enter at least 3 characters.

Erërat e forta rrëzojnë fasadën e një objekti në Fushë Kosovë, lëndohet një person

Një person është lënduar dhe një veturë është dëmtuar si pasojë e rrëzimit të fasadës së një objekti, për shkak të erërave të forta që po mbizotërojnë në Fushë Kosovë.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku, ka bërë të ditur se rreth orës 21:00 kanë pranuar një telefonatë për një incident të ndodhur në afërsi të shkollës “Mihal Grameno”, ku ka rënë fasada e një objekti banesor.

Si pasojë e këtij rasti, një person i rastit ka pësuar lëndime trupore, një veturë është dëmtuar, ndërsa është shkaktuar rrezik edhe për pjesëmarrësit në komunikacion.

“Sapo kemi pranuar informatën, ekipet e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, së bashku me qytetarët, kanë ndërhyrë për pastrimin e zonës dhe eliminimin e rrezikut”, ka deklaruar Mjeku.

Sipas tij, personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor dhe aktualisht po merr ndihmën e nevojshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Drejtoria e Shërbimeve Publike ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të erërave të forta që pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim./Telegrafi.