“Engjëjt e Lirisë”, emisioni i ri filatelik kushtuar fëmijëve të vrarë në luftë
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit, Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim një emision të ri filatelik me titull “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”.
Ky emision i dedikohet kujtimit të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë dhe synon të ruajë kujtesën historike, si dhe të promovojë vlerat e paqes dhe të të drejtave të fëmijëve.
“Kjo ditë shërben si kujtesë globale për vuajtjet e fëmijëve të prekur nga luftërat dhe konfliktet e armatosura”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Emisioni filatelik i kushtohet figurës së Leotrim Ahmetit, emri i të cilit është shndërruar në simbol të kujtesës për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“Pulla postare paraqet shtatoren ‘Leotrimi i vogël’, kushtuar Leotrim Ahmetit, emri i të cilit është shndërruar në simbol të kujtesës për fëmijët që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë”, theksohet në komunikatë.
Sipas Postës së Kosovës, përmes këtij emisioni synohet të ruhet kujtesa kolektive dhe të përcillen mesazhe paqeje dhe solidariteti për brezat e ardhshëm.
“Përmes këtij motivi filatelik, Posta e Kosovës sjell në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe të ndërtimit të një shoqërie të bazuar në paqe, dinjitet dhe solidaritet”, thuhet më tej.
Emisioni filatelik është realizuar duke përdorur pamjen e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, e siguruar nga Komuna e Skenderajt.
Ky emision do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë. /Telegrafi/


