Emir Sahiti zbulon arsyen pse nuk u ftua te Kosova për ndeshjet e shtatorit
Emir Sahiti ka hedhur poshtë zërat për një konflikt me përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda. Sulmuesi i Hamburgut, i cili mungoi në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kosovës për Kupën e Botës 2026, ka sqaruar se vendimi për të mos u bashkuar me përfaqësuesen ishte i tij personal.
Sahiti, i cili këtë fundjavë qëndroi në stol për 90 minuta në humbjen 5-0 të Hamburgut ndaj Bayern Munich– për herë të parë pas shtatë muajsh pa një paraqitje zyrtare – theksoi se nuk ka asnjë problem me bashkëlojtarët apo stafin teknik të Kosovës.
“E vërteta është se unë u ftova, por ishte vendimi im të mos grumbullohesha. Nuk ka probleme midis meje dhe shokëve të mi të ekipit kombëtar. Ne jemi të gjithë miq”, deklaroi ai për MOPO.
Megjithatë, 26-vjeçari shprehu pakënaqësi me disa zgjedhje të formacionit nga Foda, duke nënvizuar se disa lojtarë nuk luajnë në klubet e tyre, por te Kosova po.
“Disa lojtarë janë në formacionin bazë edhe pse nuk kanë luajtur për muaj të tërë me klubet e tyre. Unë luaj për Hamburgun, një klub i madh, dhe ndihem mirë. Nuk është problem nëse nuk jam titullar për arsye sportive, por kur e meritoj, dua të luaj. Për këtë arsye i thashë drejtorit se nuk do të vija këtë herë”, shtoi Sahiti.
Ai nënvizoi se vendimi u mor në bashkëpunim me Samir Ujkanin, dhe se nuk pati bisedë direkte me Fodën para publikimit të listës.
Edhe pse nuk ishte pjesë e skuadrës, Sahiti e ndoqi nga televizioni humbjen 4-0 ndaj Zvicrës dhe fitoren 2-0 kundër Suedisë.
“Isha shumë i kënaqur me fitoren e ekipit tim. E dua vendin tim dhe gjithmonë dua më të mirën për Kosovën”, theksoi ai.
Sahiti deri tani ka pesë paraqitje me Kosovën, por asnjëherë si titullar. Në Ligën e Kombeve në mars ai u aktivizua nga stoli, ndërsa në periudhën e fundit ka humbur vendin në formacion edhe te Hamburgu, ku Fabio Vieira është parë si përforcimi i ri për repartin ofensiv.
Nëse do të rikthehet sërish në grumbullimet e ardhshme mbetet në dorën e përzgjedhësit Franco Foda, por edhe të paraqitjeve të tij në Bundesligë./Telegrafi/


