EloTracker – aplikacioni që bashkon komunitetin e Counter-Strike 2 në Kosovë
Dy të rinjë entuziastë për lojën e Counter-Strike 2, kanë krijuar një aplikacion i cili do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për komunitetin e lojtarëve në vendin tonë që janë po ashtu pasionantë pas CS2.
Bëhet fjalë për dyshen Kushtrim Hyseni dhe Jetmir Feka, të cilët kanë krijuar aplikacionin EloTracker.
Përmes këtij aplikacioni, i gjithë komuniteti i CS2 në Kosovë do ta ketë një platformë ku ata do të jenë në gjendje t’i monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme statistikat dhe progresin e tyre para dhe pas lojërave që i zhvillojnë në FACEIT.
Të gjitha të dhënat në këtë aplikacion përditësohen me shpejtësi rekorde, duke iu mundësuar të gjithë lojtarëve të vërejnë dobësitë dhe pikat e tyre të forta.
Se si lindi ideja për ta krijuar këtë aplikacion dhe si është mirëpritur kjo nga komuniteti, në një intervistë për Telegrafin, bashëthemeluesi Kushtrim Hyseni ka treguar se si nisi gjithçka.
“Së bashku me kolegun Jetmir Feka, ideja për ta zhvilluar aplikacionin EloTracker ka lindur duke pasur parasysh që loja CS2 është hobi e jona me të cilën e kalojmë kohën dhe kemi pasur dëshirë që profesionin e përditshëm - zhvillimin softuerik - ta kombinojmë bashkë me këtë hobi”.
“Kështu ka lindur ideja për aplikacionin, i cili iu shërben të gjithë lojtarëve ta kenë një platformë ku munden t'i monitorojnë statistikat e veta në lojërat e zhvilluara në FACEIT”.
“Aplikacionin së pari e kemi shpërndarë tek shokët dhe kolegët, të cilët e përdorin në baza të rregullta dhe na tregojnë se janë shumë të kënaqur me dizajnin e thjeshtë dhe statistikat e hollësishme që ofrohen në EloTracker”.
“Në të ardhmen e afërt, ne synojmë ta zhvillojmë edhe më shumë aplikacionin, por gjithmonë janë të mirëpritura kritikat, komentet dhe sugjerimet e përdoruesve duke na treguar se çfarë statistika tjera duan të shohin në EloTracker", ka thënë Hyseni./Telegrafi/
Për të gjithë ata që duan ta përdorin këtë aplikacion, këtë mund ta bëni përmes telefonave tuaj duke klikuar KËTU


