Hapen vendvotimet me kohë, Elezi: Ftojmë të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend, pasi materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet është shpërndarë me kohë gjatë orëve të hershme të mëngjesit.
Në një konferencë për media, Elezi bëri të ditur se në listën e votuesve janë të regjistruar 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote, duke i ftuar ata që të marrin pjesë në proces dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
“KQZ fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, tha ai.
Sipas Elezit, në këto zgjedhje garojnë gjithsej 21 subjekte politike, prej të cilave 17 janë parti politike, tri koalicione dhe një kandidat i pavarur.
"Në garë janë 902 kandidatë për deputetë, përkatësisht 593 burra dhe 309 gra", tha ai.
Zëdhënësi i KQZ-së rikujtoi gjithashtu se qytetarët mund ta verifikojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës elektronike të KQZ-së, ku mjafton të vendosin numrin personal dhe datën e lindjes për të marrë informacionin e nevojshëm mbi vendvotimin.
Po ashtu, Elezi njoftoi se KQZ ka vënë në funksion dhomën operative, e cila monitoron mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe funksionon në bashkëpunim me zyrtarë të KQZ-së, Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës. /Telegrafi/


