Ekzekutohen shtesat prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat e njëhershme prej 100 eurosh për fëmijët dhe kategoritë pensionale në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin 2.0.
Në njoftimin e publikuar nga ministria thuhet se “është ekzekutuar mbështetja e njëhershme për fëmijët në vlerë 100 euro”, ndërsa në një njoftim tjetër bëhet e ditur se është realizuar edhe mbështetja për pensionistët në të njëjtën vlerë.
Këto pagesa janë pjesë e masave mbështetëse të miratuara nga Qeveria në detyrë e Kosovës për t’i ndihmuar qytetarët në përballimin e rritjes së çmimeve dhe inflacionit.
Nga kjo pako përfitojnë mbi 400 mijë fëmijë dhe më shumë se 300 mijë përfitues të skemave pensionale, përfshirë pensionistët, kategoritë e dala nga lufta dhe personat me nevoja të veçanta.
Kujtojmë se Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e fundit ka marrë vendim për ekzekutimin e Pakos për përballje me inflacionin 2.0 e cila parasheh mbështetje për kategori të ndryshme shoqërore si pensionistë, fëmijë, lehona, studentë aktivë, punëtorë privatë e familje në nevojë. /Telegrafi/


