Please enter at least 3 characters.

Ekskluzive: Leard Sadriu drejt hapit të madh në karrierë, arrin marrëveshje me skuadrën gjermane

Leard Sadriu pritet të largohet nga futbolli rumun vetëm pas gjashtë muajsh qëndrimi te FC Arges, duke qenë gati për të bërë hapin më të madh të karrierës së tij.

Mbrojtësi kosovar ka shkëlqyer me fanellën e klubit rumun në 17 paraqitje, 16 në kampionat dhe një në Kupën e Rumanisë. Sadriu është shndërruar në një nga mbrojtësit më të mirë të elitës rumune, teksa ka realizuar dy gola, duke u dëshmuar si forcë e rëndësishme e Arges edhe në fazën ofensive.

Falë këtyre paraqitjeve të jashtëzakonshme dhe grumbullimit të tij me Kombëtaren e Kosovës, Sadriu është vërshuar nga oferta, si nga kampionati rumun, ashtu edhe nga liga të tjera evropiane.

Telegrafi ka mësuar nga burime të sigurta se e ardhmja e mbrojtësit ferizajas pritet të jetë në Gjermani. Sadriu tashmë ka arritur marrëveshjen personale me skuadrën Holstein Kiel, që këtë edicion ka rënë në Bundesliga 2, por që njihet si klub i organizuar dhe i orientuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj, shpeshherë furnizues i klubeve të Bundesligës.

Marrëveshja mes Sadriut dhe klubit gjerman është arritur, ndërsa lojtari po pret që dy klubet të gjejnë marrëveshjen përfundimtare. Interesim të madh për të kanë shfaqur edhe disa nga klubet më të mëdha në Rumani, por Sadriu i ka dhënë përparësi kalimit te Kiel, duke konsideruar këtë si një hap përpara në një kampionat më të fortë dhe më konkurrues si Bundesliga 2.

Arges është i hapur ta shesë futbollistin, por vetëm nëse vjen një ofertë mbi 1 milion euro. Bisedimet mes palëve janë duke vazhduar dhe synimi është që transferimi të finalizohet në fillim të muajit janar.

24-vjeçari e ka nisur karrierën te Ferizaj, për të vazhduar më pas te Skënderbeu i Korçës dhe Shkëndija e Tetovës, para se të shkëlqente për tre vite me Mura në Slloveni.

Klubi aktual i Sadriut, Arges është befasia më e këndshme e këtij sezoni në Rumani, pasi ndodhet në pozitën e pestë në tabelë me 27 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/

true