Eklipsi i pjesshëm i Hënës të premten, ja në çfarë ore mund ta shohim nga Prishtina
Një eklips i pjesshëm i Hënës do të jetë i dukshëm nga Prishtina në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, më 28 gusht.
Sipas të dhënave të Time and Date, eklipsi do të nisë në Prishtinë në 03:23, ndërsa momenti më i madh i eklipsit që mund të shihet nga Prishtina do të jetë në 05:56.
Në atë moment, Hëna do të jetë shumë pranë horizontit, në drejtim të perëndim-jugperëndimit, ndaj për ta parë më mirë rekomandohet një vend i ngritur dhe me pamje të hapur në atë drejtim.
Hëna do të perëndojë rreth 05:59, ndërsa kulmi i vërtetë i eklipsit do të ndodhë pak më vonë, në 06:12, kur Hëna në Prishtinë tashmë do të jetë nën horizont dhe nuk do të mund të shihet.
Në kulmin e eklipsit, më shumë se 90% e diskut hënor do të jetë i zhytur në hijen e Tokës, duke i dhënë Hënës ngjyrë të kuqërremtë.
Për dallim nga eklipsi diellor, eklipsi i Hënës mund të vëzhgohet me sy të lirë, pa pasur nevojë për pajisje mbrojtëse.
Eklipsi hënor i 28 gushtit do të jetë ngjarja e dytë e madhe astronomike e muajit, duke përmbyllur një nga periudhat më interesante të gushtit për vëzhguesit e qiellit. /Telegrafi/


