Ekipi i shpëtimit nga Izraeli, arrin ta nxjerr nga rrënojat turken 23-vjeçe - publikohen pamjet
Ekipet e shpëtimit që kanë arritur në Turqi nga vende të ndryshme të botës, po bëjnë të pamundurën që t’i nxjerrin gjallë qytetarët që kanë mbetur të ngujuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
Megjithatë temperaturat e ulëta po ua vështirësojnë në masë të madhe punën, ndërsa numri i viktimave nga çasti në çast po vjen duke u rritur, transmeton Telegrafi.
Deri më tani raportohet për mbi 11.200 të vdekur në Turqi dhe Siri, kurse Ankaraja njoftoi se vetëm në Turqi janë regjistruar 8.574 viktima.
E një ekip i shpëtimit që u dërgua nga Izraeli, ka arritur ta shpëtojnë një 23-vjeçare nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Turqi.
Ushtria izraelite ka publikuar në Twitter momentet e shpëtimit të gruas turke.
“Për forcat mbrojtëse të Izraelit, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shpëtimi i jetëve të njerëzve”, thuhet përbri videos së publikuar në rrjetin social. /Telegrafi/


