Edhe njëherë për serialet e huaja pa vlera në televizionet tona kombëtare
Nëse një i huaj që i ka rastisë ta vizitojë Kosovën, shikon televizionet tona, e ka të lehtë të vërej se programet e televizioneve tona, nuk kanë cilësi të mjaftueshme. Pa dyshim se “kontributin” më të madh në këtë drejtim e japin serialet e “famshme” amerikano-latine dhe së fundi edhe ato turke.
Nuk do koment se televizionet tona ua kanë parë hairin këtyre serialeve, ngase përveç që e mbushin programin duke emituar e ri emituar këto seriale, ato e kanë rritur ndjeshëm shikueshmërinë e tyre. Kjo shihet edhe nga anketimet që kompanitë e ndryshme të sondazhesh i kanë bërë dhe i bëjnë në vazhdimësi. Falë programeve të këtillë “cilësore”, pronarët e televizioneve rrahin gjoks duke thënë se janë shumë të shikuara.
Por, çfarë në fakt përmbajnë këta serialë?
Sigurisht që gjithçka, përpos vlerave që kanë efekt edukues ose emancipues për shoqërinë kosovare. Dhe vërtetë, gjatë tërë serialit po thuaj se nuk ka as edhe një element të vetëm pozitiv.
Në fillim të këtyre serialeve çdo fillon shumë zymtë. Personazhi kryesor është zakonisht njeri i parëndësishëm dhe në fillim ai paraqitet si shërbëtor, njeri i varfër e i margjinalizuar nga shoqëria.
Ky personazh trajtohet shumë keq, përbuzet, rrihet, e në rastin më të keq tentohet të vritet, por që kjo asnjëherë nuk ndodhë, pasi që ai u “mbijeton heroikisht” këtyre tentativave. Dhe për të zgjuar kureshtjen e shikuesit, është përkujdesur regjisori, i cili në vazhdim të serialit protagonistit kryesor fillon t’ia përmirësoj gjendjen.
Kështu, personazhi që në fillim ishte i pavlerë, tani zakonisht bëhet punëtori më i mirë, më i zellshëm, më i bukur, më human. Nëse personazhi kryesor është mashkull, në të fillon të dashurohet femra e ndonjë të pasuri, misi i qytetit, pse jo edhe zonja e shtëpisë ku ai punon. Po kështu ndodh edhe në rastin e kundërt, kur personazhi kryesor është femër. Pas saj e ‘’lënë kokën’’ të gjithë, të pasur e të varfër, që nga kopshtari e deri tek më të famshmit e më të fuqishmit.
Në vazhdim të episodeve të pa fund të serialeve, personazhi kryesor pasurohet shumë, edhe atë brenda natës. Kjo ndodhë duke u martuar me ndonjë person nga elita e pasur, ose në rastet më të shpeshta del të jenë trashëgimtarë të ndonjërës prej familjeve më të pasura e të famshme në vendin e tij. Çfarë “rastësie”!?
Kjo është në shumicën e rasteve skenari i zakonshëm i të gjitha serialeve. Në fakt ata kanë skenarë identikë, përveç që “heronjtë e popullarizuar’’ dallojnë në varësi të serialit. Në disa raste ata quhen: Esmeralda, Ajmar, Zhade, Lukas, Huan e së fundi Mehmet Kosovari, Kryqori etj.
Në kohën e emitimit të këtyre serialeve, shumica e familjeve kosovare janë të përqendruara 100% para ekraneve televizive, edhe atë prej moshës së fëmijërisë së hershme e deri në pleqërinë e vonë. Ndikimi i serialeve ne shikuesit tanë është aq i madh, saqë shumë prej tyre fëmijëve të posa lindur ua kanë vënë emrat e personazheve kryesor, të cilët ata i adhurojnë.
Mirëpo, shtrohet pyetja: çfarë në të vërtetë përfiton shikuesi i pasionuar kosovar nga këta serialë?
Përgjigja është e gatshme dhe e lehtë:asgjë, përveç se i kanoset rrezikut të indoktrinimit nga skenat e një pas njëshme erotike, konfliktet fizike, sharjet, tradhtia, plaçkitjet, fjalët e ndyta, divorcet etj.
Thënë ndryshe, këto skena nuk kanë asgjë të mirë dhe edukative për shoqërinë tonë. Në fakt, ato janë të dëmshme, dhe kontribuojnë në prishjen e raporteve ndër njerëzore, raporteve mes prindërve e fëmijëve, mes burrave e grave.
Efekti negativ i përcjelljes së këtyre serialeve konsiston në atë se, duke parë skena të këtilla, tek shumë shikues krijohet opinioni se edhe ne në jetën e përditshme duhet të sillemi njëjtë, se nuk duhet punuar, se një ditë do të “pasurohemi” brenda natës, se duhet non-stop të përlahemi me prindër, të ikim nga shtëpitë, të plaçkitim, të divorcohemi e të bashkohemi prapë me partnerët e njëjtë.
Këto janë serialet e “lira” që ne i shikojmë dhe që na “edukojnë”. Këto janë serialet që i emitojnë televizionet tona nga dy e tre herë gjatë ditës.
Mendoj se televizionet tona, do të duhej të kujdesen më tepër që të ofrojnë vlera në programet e tyre, e jo emisione nga të cilat përfitojnë materialisht, pa e llogaritur dëmin që i shkaktohet shoqërisë. Jam i bindur se sot, më shumë se kurrë ne kemi nevojë për programe edukative, për serialë nga të cilët mund të mësojmë diçka që ka vlerë të mirëfilltë dhe që na edukon.
Kosovarët janë të njohur si njerëz punëtorë, besnikë, mikpritës, të sinqertë, e me familje të shëndosha e të forta. Për këto vlera morale na e kanë lakmi shumë popuj të qytetëruar e të zhvilluar ekonomikisht e politikisht. E interesi ynë në tërë këtë është që ti ruajmë këto vlera të kultivuara me shekuj. Dhe për këtë duhet të përkujdesen televizionet tona, sepse dyshoj që serialet e këtilla kanë diçka të përbashkët me atë që ne jemi dhe pretendojmë të jemi. Andaj, zgjidhja më e mirë është t’i injorojmë serialet e pavlera.
Në këtë fazë të shtet-formimit, më shumë se për çdo gjë, ne kemi nevojë që ta duam shtetin tonë, të punojmë e të angazhohemi për mirëqenien tonë. Prandaj është shumë më mirë që kohën e emitimit dhe ri emitimit të këtyre serialeve në televizionet tona, ta shfrytëzojmë për diçka më të mirë dhe më të dobishme për vete, familjen apo shoqërinë. E sigurisht, produkti do të jetë 100% më i dobishëm se sa “Ëndrrat me sy hapur”, të quajtura serialë latino-amerikanë.


