Please enter at least 3 characters.

EC Ma Ndryshe kërkon zbatim të ligjit pas konstatimeve për shkelje në një ndërtim në Qendrën Historike të Prizrenit

EC Ma Ndryshe, në kuadër të monitorimit të çështjeve që lidhen me planifikimin urban, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe interesin publik, ka pranuar shqetësime nga komuniteti lidhur me punimet për ndërtimin e një objekti në rrugën “Shën Albani”.

Sipas një njoftimi për media thuhet se pas qasjes në dokumentacionin zyrtar të institucioneve kompetente, organizata vëren se si Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren, ashtu edhe Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Prizrenit, kanë konstatuar mospërputhje ndërmjet punimeve të realizuara në terren dhe projektit të aprovuar.

Sipas njoftimit të QRTK-së, gjatë monitorimit të punimeve janë evidentuar ndërhyrje që nuk janë në përputhje me pëlqimin e lëshuar nga institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe, për pasojë, është kërkuar reagim nga Drejtoria e Inspektoratit.

Ndërkaq, Drejtoria e Inspektoratit ka konstatuar se punimet nuk janë duke u zhvilluar sipas projektit të aprovuar dhe në përputhje me pëlqimet përkatëse, duke evidentuar tejkalime që nuk figurojnë në projektin e miratuar. Për këtë arsye, Inspektorati ka theksuar se ka ndërmarrë veprime administrative dhe ka vendosur masa ndaluese në objekt. Njëherësh, ka bërë të ditur se do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore. Sipas të dhënave të QRTK-së, parcela ku po realizohet ndërtimi gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit.

EC Ma Ndryshe konsideron se respektimi i kushteve të lejeve ndërtimore dhe i pëlqimeve të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është detyrim ligjor dhe parakusht për zhvillim të qëndrueshëm urban, veçanërisht në zona që ndodhen brenda ose pranë hapësirave me vlera të trashëgimisë kulturore.

Duke marrë për bazë edhe shqetësimet e komunitetit, EC Ma Ndryshe kërkon nga institucionet përgjegjëse që të sigurojnë zbatimin e plotë të dispozitave ligjore dhe kushteve të përcaktuara në lejet e lëshuara, të informojnë publikun për hapat e ndërmarrë lidhur me këtë rast dhe të forcojnë mbikëqyrjen institucionale në zonat me ndjeshmëri të lartë urbanistike dhe trashëgimore.

EC Ma Ndryshe përkujton se ruajtja e autenticitetit dhe integritetit të Qendrës Historike të Prizrenit është detyrim ligjor dhe përgjegjësi e përbashkët institucionale e qytetare. /Telegrafi/