“E vërteta për themelimin e KF Flamurtarit”
Ne tubimin e mbajtur me rastin e 40 vjetorit te themelimit te klubit futobllistik
“Flarmurtari”, Ibrahim Prapashtica ne raportin e tij mes te tjerash deklaroi: “atëbotë ushtronim në fushën e KF “Prishtina”. Por, pas një kohe jo të gjatë KF “Prishtina” na largoj nga terreni.
Ata të KFP-së e ndalën vetëm një lojtar të KF “Flamurtari”, Burim Hatipin. Më vonë e përpilova një listë dhe e prezantova në Nënlidhjën e Futbollit të Prishtinës dhe kështu e regjistrova KF “Flamurtari” për gara”.
Si njëri nga themeluesit e këtij klubi ndiej për obligim që ti them disa aspekte të cilat do ta ndriçojnë më shumë kohën dhe mënyrën e formimit të këtij klubi. Në atë kohë unë isha adhurues i sportit, përkrahës dhe mjaft aktiv në zhvillimet sportive, gjithashtu isha në udhëheqjen komunale të rinisë së Prishtinës.
Pra, ishte viti 1968.
Si nisi ideja për regjistrimin e Klubit Futbollistik “Flamurtari”?!!
Në atë kohë, në zyrën time erdhi Ibrahim Praprashtica me një listë në dorë dhe më tha që t’ia nënshkruaj listën me tekst dhe disa emra për të regjistruar klubin në nën lidhjen e futbollit të Prishtinës.
Por, unë i sqarova atij se për tu bërë kjo punë duhet thirrur mbledhjen e rinisë së lagjes Pozderka, lagje kjo në të cilën banoja edhe unë. Në pjesën e parë të mbledhjes zgjodhëm udhëheqjen e rinisë së asaj organizate dhe pastaj dhamë pauzë për të vazhduar mbledhjen pak më vonë.
Në vazhdim të mbledhjes formuam Klubin e Futbollit të cilin e pagëzuam me emrin KF “Flamurtari” me të cilin emër është edhe tani. Në atë mbledhje ka marrë pjesë Sejdi Merkonja. Pas mbledhjes u përgatit materiali i nevojshëm dhe unë e nënshkrova në emër të rinisë së Prishtinës.
Kështu u regjistrua klubi i ri futbollistik i porsaformuar i cili e vazhdoi aktivitetin e tij të frytshëm sportiv, por vështirësi e madhe ishte se nuk kishte mjete të mjaftueshme financiare.
Meqenëse në atë kohë, unë isha nënkryetar i kryesisë së Lidhjes për Kulturën Fizike të Prishtinës, i deleguar nga Organizata e Rinisë të Prishtinës, e përdora autoritetin tim dhe e futa në financim në kuadër të kësaj organizate, pa konsultimin e kryesisë së LOKF-së.
Por, kjo punë u morr vesh, andaj kryetari i kësaj organizate i cili ishte i nacionalitet serb, së bashku me sekretarin dhe disa anëtarë të kryesisë të cilët poashtu ishin të nacionalitetit serb, e thirrën mbledhjen e kryesisë së LOKF-së. Në këtë mbledhje unë nuk isha prezent, sepse isha në një mbledhje tjetër jashtë
Kosovës. Në atë mbledhje, ata e kishin formuar një komision për të më thirrur në përgjegjësi për shkak se e kisha kyçë në financim pa lejen e tyre klubin e ri të futbollit që e mbante emrin KF “Flamurtari”.
Në krye të komisionit që mori masa dënimi ndaj meje ishte Budisllav Vujisic, anëtar i kryesisë dhe sekretar i lidhjes së atëhershme socialiste të Kosovës. Masat e dënimit të cilat i kishin vendosë për mua, m’i treguan pasi u ktheva në Prishtinë. Pasojat e veprimit tim, që KF “Flamurtari” e futa në financim me
insistimin tim personal, i kam bartur një kohë të gjatë. Pra, vetëm e vetëm pse e inkuadrova ne financim një klub shqiptar të futbollit dhe me emrin “Flamurtari”.
Ky është shpjegimi dhe arsyetimi. Politika në atë kohë dënonte dhe gjërat nuk publikoheshin. Unë i vuaja pasojat e të tjerët nuk e dinin. Më vonë, në KF “Flamurtari” për kryetar të klubit angazhohet Azem
Vllahiu, kurse unë në fillim të vitit 1972 zgjidhem Kryetar i Klubit Hendbollistik “Prishtina” dhe aktiviteti im përqendrohet në hendboll. Dhe, që nga ajo kohë unë jam larguar me vetë iniciativë nga kryesia e KF “Flamurtari”.
Këtë reagim e bëra për hir të sqarimit plotësues rreth kontributit tim për regjistrimin dhe financimin e KF “Flamurtari”, për çka edhe pata bartur pasojat politike.
Thënë shkurt, kjo deklaratë e Ibrahim Prapashticës nuk i përgjigjet realitetit. Deklaratat e tilla të cilat nuk i përkasin realitetit të ngjarjeve reale, krijojnë mjegullina dhe konfuzion, duke anashkaluar punën, angazhimin, sakrificën dhe meritat e pakontestueshme rreth formimit të Klubit Futbollistik “Flamurtari”", shkroi Ajeti. /Telegrafi/


