E pyesin drejtorin e Brightonit se përse po ia shesin Chelseat të gjithë yjet - përgjigja e tij shkakton të qeshura
Gjatë forumit vjetor të tifozëve, të mbajtur të mërkurën më 6 gusht, drejtori ekzekutiv i Brighton, Paul Barber, dhe trajneri Fabian Hurzeler iu përgjigjën pyetjeve të mbështetësve të klubit.
Një tifoz e pyeti drejtorin ekzekutiv dhe zëvendëskryetarin e Albion: “Pse i shesim lojtarët tanë më të mirë?”. Ai përmendi ndikimin që sulmuesi Joao Pedro – i larguar së fundmi te Chelsea – ka pasur në klubin londinez dhe shtroi pyetjen nëse ekziston një marrëdhënie e veçantë mes dy skuadrave.
Barber u përgjigj: “Siç e kam thënë shumë herë, ata (Chelsea) janë klienti ynë më i mirë. Realiteti është se çdo klub në botë është klub që shet me çmimin e duhur, dhe kushdo që thotë të kundërtën nuk e kupton vërtet futbollin".
"Modeli ynë i biznesit ka qenë gjithmonë i njëjtë: blejmë lojtarë të rinj, punësojmë stafin më të mirë të trajnerëve për t’i zhvilluar dhe u japim mundësinë të luajnë në ekipin e parë. Kur të vijë momenti i duhur – si për lojtarin ashtu edhe për klubin – negociojmë marrëveshjen më të mirë të mundshme”.
Ai theksoi se kjo strategji është e domosdoshme për ndërtimin e një klubi të qëndrueshëm financiarisht: “Nuk mund të mbështetemi gjithmonë te Tony Bloom për të mbuluar boshllëqet financiare. Duhet të ndërtojmë një klub që qëndron në këmbët e veta dhe është më pak i varur nga një person i vetëm. Për një klub të madhësisë sonë, kjo do të thotë të kemi një strategji të shëndetshme për shitjen dhe blerjen e lojtarëve".
"Çelësi është që të mos e lëmë kurrë stafin e trajnerëve me një skuadër që nuk është e aftë të konkurrojë. Shumë klube shesin lojtarë me fitim, por duhet të sigurohesh që të mbetet një skuadër e fortë për të punuar”, shtoi ai.
Joao Pedro ishte transferimi më i fundit i profilit të lartë nga Brighton te Chelsea. Sulmuesi brazilian iu bashkua “Bluve” për 60 milionë funte në fillim të korrikut dhe pati një ndikim të menjëhershëm, duke shënuar dy gola në fitoren kundër Fluminense në gjysmëfinale dhe një tjetër në finale kundër Paris Saint-Germain, duke ndihmuar Chelsean të fitojë Kupën e Botës për Klube.
Brighton do të mbyllë fazën përgatitore të verës me një miqësore kundër Wolfsburgut të shtunën, më 9 gusht, përpara nisjes së sezonit 2025/26 në Premier League. Ndeshja e parë do të luhet në stadiumin “Amex” kundër Fulhamit, më 16 gusht. /Telegrafi/


