E pabesueshme – përfunduan sezonin pa humbje dhe pa pranuar gol, por nuk arritën të shpallen kampione
Skuadra suedeze Angelholms FF luajti një sezon thuajse perfekt, por pavarësisht se ishte pa humbje në 18 ndeshje dhe nuk pësoi asnjë gol, nuk e fitoi titullin në kategorinë e katërt për futbollin e femrave.
Lojtaret e Angelholms luajtën 18 ndeshje dhe fituan 15 prej tyre, por për shkak të tri barazimeve, titulli i kampionit të divizionit të garave veriperëndimore të Skane i shkoi skuadrës së Ljungbyheds.
Ata fituan një pikë më shumë me një rekord prej 16 fitoresh, një barazim dhe një humbje, e cila u mjaftoi për titull, edhe pse Angelholm kishte një gol-diferencë prej 78:0.
Natyrisht, mbresëlënës ka qenë edhe golavarazhi i skuadrës Ljungbyheds, pasi ato kanë shënuar 121 gola dhe kanë pranuar 14 gola.
Skuadra e pafat e qytetit që numëron rreth 40 mijë njerëz ka një shans të dytë përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it.
Ata mbeten me shpresë se një sezon pothuajse perfekt do t'i sjellë edhe promovimin në një nivel më të lartë të garave. /Telegrafi/


