E arrestuan nazistët, e shpëtoi Pajazit Boletini: Historia e mjekut hebre që la Davosin për Shqipërinë
Ilustrim: Tirana më 1938
Nga: András Tóth
Ekziston një fjali, e hedhur në letër me bojë të zezë në qershor të vitit 1962, nga një zyrtar i jashtëm shqiptar, në margjinat e letrës lutëse të një 86-vjeçareje, pothuajse të verbër nga Beogradi: “Dr. Kalmar është shtetas shqiptar. Prandaj, nuk mund të lejohet të bëhet jugosllav”. Pas kësaj fjalie qëndron djali më i vogël i një familjeje tregtare hebreje nga Budapesti, i cili u largua nga numerus clausus në Pragë, prej andej në Davosin e vërtetë të “Malit të Magjepsur”, dhe më pas përfundoi në vendin më të varfër të Ballkanit - një vend që fillimisht e joshi me franga ari, më pas e fshehu në malet e veta nga gjermanët, dhe në fund, thjesht nuk e la të ikte për dekada me radhë.
Historia e Kalmár Lajosit, është një përmbledhje e shekullit të XX-të: ajo përmban brezin e mjekëve hungarezë emigrantë, luftën e madhe evropiane kundër tuberkulozit, mrekullinë e besës shqiptare dhe përqafimin mbytës të diktaturës hoxhiste.
Kalmár Lajos lindi në Budapest më 5 tetor 1901, si fëmija i gjashtë dhe i fundit. Babai i tij, Kalmár Géza - me emrin e lindjes Gerson Kohn - erdhi në Pest nga Monoku i rajonit Zemplén, u bë agjent tregtar në industrinë e letrës dhe ishte një anëtar aq i pasionuar shoqatash, saqë Shoqata e Agjentëve Tregtarë të Hungarisë e përcolli si nënkryetar në vitin 1939 - pas gjysmë shekulli anëtarësimi. Sipas nekrologjisë së tij, ai kishte bërë fushatë madje edhe për rregullimin e “kushteve të degraduara të shëndetit publik” në hotelet e provincës gjatë luftës, kështu që çështja e higjienës ishte një trashëgimi familjare.
Nëna e tij, Burger Amália nga Miskolci, menaxhonte një rrobalarësi të brendshmeve në “Bulevardin Erzsébet” nr. 51 dhe rriti gjashtë fëmijë në një banesë me qira në lagjen e 7-të. Djali më i vogël donte të bëhej mjek - mirëpo, kur mbaroi gjimnazin, në Hungari hyri në fuqi ligji numerus clausus. Kalmár bëri atë që bënë mijëra të rinj hebrenj hungarezë të asaj kohe: shkoi jashtë shtetit.
Nga vjeshta e vitit 1921 studioi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Gjerman në Pragë, banoi në lagjen “Vršovice” dhe u promovua doktor në mars të vitit 1927. (Ta mbajmë mend këtë diplomë të Pragës: më vonë të gjithë - gazetarë shqiptarë, kolegë, madje edhe miqtë e tij - do të thonë me ngulm se ai ishte diplomuar në Vjenë apo edhe në Cyrih. Megjithatë, faqja 230 e regjistrit të Universitetit të Karlit nuk gënjen.)
Davosi: Sanatoriumi dhe dashuria
Mjeku i ri i diplomuar u punësua po atë vit në “Mekën” e pneumologjisë: më 19 nëntor 1927, u regjistrua në zyrën e të huajve në Davos, si mjek asistent në Neues Sanatorium. “Mali i Magjepsur” i Thomas Mannit kishte vetëm tre vjet që ishte botuar - Kalmári u gjend mu në mes të botës së romanit: kura shtrirë, tarraca të mbuluara me borë, pacientë nga çdo kënd i Evropës që e kalonin sëmundjen e tyre vdekjeprurëse me një jetë shoqërore plot shpirt.
Një nga pacientët ishte një studente muzike nga Beogradi: Jovanka Ristiq, e njohur me pseudonimin “Joja”, e cila ishte dërguar në male për shkak të tuberkulozit. Ajo nuk ishte një vajzë dosido: gjyshi i saj, Jovan Ristiq, kishte qenë regjent dhe kryeministër i Serbisë, gjyshi nga nëna ishte kryemjeshtër i Oborrit të Mbretëreshës; babai i tij, koloneli i drejtësisë ushtarake. Milan Ristiqi ra si hero në vitin 1917, kur anija e tij u mbyt nga një silur. Mjeku dhe pacientja e tij u dashuruan. Martesa zgjati një jetë - dhe e lidhi Kalmárin me Ballkanin përgjithmonë.
“Që ari shqiptar të mos rrjedhë jashtë shtetit”
Në vitin 1930, një letër e pazakontë mbërriti në Davos. Qeveria Mbretërore Shqiptare kërkonte një ekspert të tuberkulozit - dhe, kjo për një arsye shumë prozaike. Gazeta Zëri i Korçës madje e tha hapur: të pasurit shqiptarë çojnë “miliona franga ari” në sanatoriumet e Davosit, ndërkohë që edhe në Shqipëri ka zona malore të bukura dhe të shëndetshme.
Prandaj, duhej një sanatorium vendas, “që ari shqiptar të mos rrjedhë kot jashtë shtetit”. Qeveria e Zogut I i ofroi mjekut hungarez në Davos një mijë franga ar në muaj - një shumë mbretërore - që të shëtiste vendin dhe të zgjidhte vendndodhjen e Davosit të ardhshëm shqiptar.
Kalmári mbërriti në gusht të vitit 1930 dhe nisi një inspektim terreni, që burokracia shqiptare rrallë e kishte parë. Ministri i Brendshëm u dërgoi telegram prefektëve: “T’i jepnin një makinë, një mjek shoqërues dhe, nëse duhej, edhe një rojë të armatosur”. Në Krujë mbërriti në orën 21.00 të mbrëmjes dhe në orën 03 të mëngjesit u nis me katër kuaj me qira drejt Qafë-Shtamës. (Për faturën dyzet franga ar të qirasë së kuajve, tre ministri korresponduan me njëra-tjetrën për gjashtë muaj, ndërsa pronari i kuajve, Ramadan Guni, shkonte rregullisht në nënprefekturë dhe kërkonte paratë e tij.) Kryetari i Bashkisë së Pogradecit kërkoi me një telegram që eksperti të vizitonte edhe zonën e tyre, pasi “kur gjermanët dhe austriakët ishin këtu, mbetën të magjepsur”.
Në fund, pasi krahasoi nëntë rajone, Kalmári zgjodhi Voskopojën në Shqipërinë juglindore: Manastirin e Shën Prodhromit, i cili ndodhej në lartësinë 1300-1500 metra mbi qytetin dikur të lulëzuar tregtar arumun, rrethuar me pyje pishash dhe burime të pasura me ujë, me energjinë e të cilave mund të zgjidhej edhe furnizimi me energji elektrike i sanatoriumit.
Gazetari i kohës u shpreh me lirizëm: “Gjetën një luginë ku ajri mban erë pishe, ku bilbilat këndojnë në verë”. Kalmári negocioi personalisht me kryepeshkopin ortodoks për lëshimin e manastirit, organizoi kompani transporti me një afat pagese prej gjashtë muajsh, madje ofroi edhe aparatet e tij.
Në janar të vitit 1931, qeveria shqiptare nënshkroi me të një kontratë pesëvjeçare, ku përfshihej gjithçka: detyrimi për të kuruar të varfrit falas, një zonë mbrojtëse prej dhjetë kilometrash ku asnjë mjek tjetër i huaj nuk mund të vendosej, si dhe premtimi se pas tre vjetësh mund të bëhej shtetas shqiptar. Vetëm një gjë mungonte: paratë.
Në buxhetin e shtetit të ri shqiptar nuk u gjet asnjë zë për pagën e mjekut yll; për muaj të tërë ai nuk mori asnjë frang, dhe në fund u desh të miratohej një ligj i veçantë që ai të paguhej nga kursimet e një pozicioni vakant mjeku në provincë. As nga ëndrra e madhe e Voskopojës nuk u bë gjë - realiteti ishte më modest: në vitin 1935, në një ndërtesë barake ushtarake në Tiranë, u hap reparti i parë i tuberkulozit në Shqipëri, nën drejtimin e Kalmárit. Por, diçka duhej të fillonte, dhe ai e filloi atë.
“Enë e plasur”
Shtypi shqiptar e adhuronte. Në janar të vitit 1931, gazeta Arbënia botoi një cikël intervistash me të, ku Kalmári tha diçka që në atë kohë ishte debat në mbarë Evropën: pacientit me tuberkuloz, duhet t’i thuhet e vërteta. Pacienti gjithsesi e ndien që diçka nuk shkon - nëse e gënjejnë, ai dorëzohet. Përse më duhen hapat dhe vuajtjet? Detyra e mjekut është ta bëjë pacientin optimist, sepse sëmundja mund të kurohet nëse identifikohet herët. Dhe, më pas erdhi fjalia që mund të bëhej një shprehje popullore: pacienti në gjendje të rëndë, është si një enë e plasur - por, dihet se ena e plasur, duke qenë se përdoret me më shumë kujdes, shpesh zgjat më shumë se ajo që nuk është e plasur.
Gazetari - motra e të cilit kishte vdekur nga TBC-ja sepse mjekët ia kishin fshehur diagnozën deri në çastin e fundit - e dëgjoi duke qarë dhe më pas nisi një fushatë të hapur në gazetë kundër mjekëve “të padijshëm” shqiptarë që “luftojnë kundër Dr. Kalmárit; nuk duan që ai të qëndrojë këtu dhe të kurojë njerëzit.
Xhelozia e komunitetit lokal të mjekëve e shoqëroi karrierën shqiptare të Kalmárit gjatë gjithë kohës - ashtu si edhe dëshira e tij për debate shkencore: në vitin 1937 ai u përplas në shtyp me një ithtar të një metode mrekullibërëse japoneze (injeksion me bacilin e breshkës!), dhe e mposhti kundërshtarin e tij jo me mendimin e vet, por me ekspertizën e kërkuar me letër nga profesori Neumann i Vjenës.
Fama e tij arriti aq larg saqë edhe poeti më i madh shqiptar i kohës, “Migjeni” - me emrin e plotë Millosh Gjergj Nikolla - i cili ishte në të njëzetat e tij dhe luftonte me tuberkulozin, iu drejtua atij. Sipas literaturës biografike, në vitet 1934-‘35 ai shkoi në Tiranë “për t’u vizituar te Dr. Kalmári, i cili kishte fituar tashmë një famë të madhe”.
Migjeni vdiq nga TBC-ja më 26 gusht 1938, në moshën 26 vjeçare, në sanatoriumin e Torre Pellice-s, pranë Torinos në Itali - jo në Slloveni, siç përsëritet shpesh gabimisht. Se çfarë ndanë saktësisht mes tyre këto dy fate - ai i mjekut që punoi edhe tridhjetë vjet të tjerë, dhe ai i poetit që vdiq në moshën njëzetë e gjashtë vjeçare - këtë mund ta thoshte vetëm kartela mjekësore e Migjenit, të cilën dikush e gjeti një herë dhe që dikush duhet ta kërkojë përsëri një ditë.
Besa: Fuqia e fjalës së dhënë
Në prill të vitit 1939, kur trupat e Mussolinit pushtuan Shqipërinë, Kalmári u shpërngul me bashkëshorten e tij në Beograd. Dy vjet më vonë, Vermahti pushtoi edhe Jugosllavinë dhe çifti u kthye përsëri në Tiranë, me një pasaportë shqiptare të lëshuar nga legata italiane në Beograd.
Në shtator të vitit 1941, policia e Tiranës urdhëroi një vëzhgim konfidencial ndaj mjekut “person i dyshimtë, hungarez, me origjinë çifute”. Në dosje, më vonë u shënua një fjalë e vetme në rubrikën e raporteve: “Asgjë”. Rreziku i vërtetë për jetën erdhi në shtator të vitit 1943, me kapitullimin e Italisë. Kalmári e dinte saktësisht se çfarë do të pasonte.
“Sadik, Italia kapitulloi dhe vendin e tyre po e marrin gjermanët. Mua do më kapin e do më vrasin” - i tha mikut të tij, Sadik Ram Salimusaj, një mjeshtër qerrepunues, të cilin e kishte shëruar nga pneumonia gjashtë vjet më parë dhe nga i cili nuk kishte pranuar të merrte asnjë napolon ar. Çelësat e shtëpisë ia besoi Sadikut, ndërsa vetë shkoi me Jovankën në male, në fshatin Shëngjergj, ku i mirëpriti fshatari Islam Trimi.
I ngarkuan gjërat në dy kuaj dhe ecën tetë orë në këmbë. “Në fshat të gjithë e dinin që po fshihnim një familje çifute” - kujtonte dekada më vonë djali i fshatarit. Dhe, askush nuk tha asnjë fjalë. Kjo është besa: fjala e dhënë, që në malet shqiptare ishte më e fortë se Gestapoja.
Kur vinte ndonjë patrullë gjermane, çiftin e vishnin me rroba fshatare dhe i fshihnin në një hambar. Gjatë kësaj kohe, Kalmári punoi për pesë muaj si mjek i fshatit. Në dimrin e viteve 1943-‘44, gjermanët nisën një operacion kundër partizanëve në atë zonë dhe Kalmári u kap. Ai përfundoi në spitalin e burgut ushtarak në Tiranë - “mund të më ekzekutojnë në çdo çast”, shkroi ai në një letër të nxjerrë fshehurazi për Sadikun.
Miku nisi të lëvizte: kushëriri i tij, Pajazit Boletini - djali i legjendarit Isa Boletini, një komandant i rangut të lartë - ndërhyri, dhe me kërkesë zyrtare të zëvendësministrit të Jashtëm, Vehbi Frashëri, komanda gjermane e liroi mjekun. Arkivi e ruan këtë dokument. Pas pak orësh, Kalmári u shfaq i bërë me baltë dhe me kapelë në dorë në punëtorinë e Sadikut, dhe të dy burrat ranë në qafë të njëri-tjetrit.
Kur doli se shtëpia e tij në Tiranë ishte grabitur ndërkohë, mjeku tha vetëm aq: “Në luftë më e rëndësishme është shpëtimi i jetës sesa pasuria”. I vinte keq vetëm për aparatin e tij të rëntgenit - por, atëherë Sadiku i pranoi: pjesët e rëndësishme i kishte çmontuar dhe i kishte çuar në shtëpi kohë më parë. “Të mbijetojmë, ti, unë dhe rëntgeni - të tjerat i zëvendësoj lehtë”.
Vendi që nuk e la të ikte
Mbijetuan. Dhe pas vitit 1944, Kalmári qëndroi aty - fillimisht sepse donte të qëndronte, më pas sepse nuk kishte zgjedhje tjetër. Shqipëria e re komuniste nuk e preku (vetëm arin ia konfiskoi), madje kishte nevojë për të: nisi një fushatë kombëtare kundër tuberkulozit. Kalmári punoi në Sanatoriumin e Tiranës, ndërsa në vitin 1948 u transferua në Korçë - pikërisht në vitin kur Hoxha prishi marrëdhëniet me Titon, dhe një mjek me bashkëshorte jugosllave u bë papritur i papërshtatshëm në kryeqytet.
Në Korçë, katër kolegë të tij shënuan në një raport zyrtar mjekësor atë që e shihte kushdo: dora e Kalmárit ishte shkatërruar nga rrezatimi i rëntgenit. Hiperkeratozë, plagë, lëkurë e atrofizuar, thonj të çarë - martirizimi tipik i mjekëve radiologë të kohëve heroike, të cilin as dorezat prej gome me plumb nuk mund ta parandalonin. Ai ishte i pari në Shqipëri që u përpoq ta njihte sëmundjen e vet si dëmtim profesional.
Në vitet pesëdhjetë, banoi në shkallën nr. 16 të pallateve “Shallvare” në Tiranë, shkonte për vizita i shoqëruar nga qeni i tij, dhe në klinikën e tij në shtëpi shpesh kishte vizita falas. Sipas legjendave urbane të qytetit, ai nuk pranonte kurrë më shumë se tridhjetë e pesë vizita në ditë - por, kushdo që vinte me rekomandim miqësor, nga ai nuk i merreshin kurrë para. Ndërkohë, në prapaskenë zhvillohej një dramë dekadash.
Nëna e ve e Jovankës, Olga Ristiq, po plakej dhe po verbohej në Beograd, dhe i shkroi një sërë letrash Enver Hoxhës, e më pas Mehmet Shehut, që t’i linin të ktheheshin të bijën dhe dhëndrin. Një mbrëmje të vitit 1947, leja e daljes erdhi me telegram - të nesërmen u anulua. 1956, 1957, 1959, 1962 ... kërkesë pas kërkese, refuzim pas refuzimi. Shqipëria e Hoxhës nuk linte të dilte askënd për të cilin kishte nevojë - dhe, argumenti përfundimtar ishte vetë cinizmi: Kalmári është shtetas shqiptar, prandaj nuk mund të shkojë. Shtetësia, e cila në vitin 1931 iu ofrua si një privilegj kontraktual, u shndërrua në hekura burgu.
Në vitin 1961, organizmi i mjekut të moshuar dhe të sëmurë nga rrezatimi u shemb: ra tetëmbëdhjetë kile, vuante nga të fikëtit dhe doli në pension. Por, edhe si pensionist, pati një çast të madh. Në vitin 1966, ish-nxënësi i tij, Kol Dodaj nga Mirdita, udhëtoi drejt tij në Tiranë me grafinë misterioze të mushkërive të një minatori. Kalmári e shikoi foton: silikozë.
Krerët e këshillit shkencor - në krye me profesorin e nderuar të pneumologjisë të regjimit - bënë me dorë: në Shqipëri nuk ka silikozë. Atëherë mjeku i vjetër hungarez u ngrit dhe me “argumente të forta shkencore” vërtetoi se po, ka. Pacientit iu lidh menjëherë pensioni i invaliditetit; Dodaj në fund identifikoi 380 minatorë me silikozë. Historia e mjekësisë së minatorëve shqiptarë fillon me këtë debat në Tiranë.
Lamtumira e fundit
Po atë vit, më 1966, pushteti - ende nuk dihet pse pikërisht atëherë - më në fund e la të dilte. Mobiliet u nisën me anije nga Durrësi në Dubrovnik nën plumbat e doganës të qepura në thasë; thasët i qepi rrobaqepësi Enver Bali, një ish-pacient i Kalmárit. Në bankë i mbetën dy milionë e gjysmë lekë të vjetra - llogariste se do t’i shpenzonte gjatë verës në Durrës. Kurrë më nuk e lejuan të hynte në vend. Një natë para nisjes, Sadik Salimusaj me të birin qëndruan tek ata deri vonë në darkë.
Te porta e pyeti: “Doktor, në çfarë ore do të nisemi nesër për në Rinas”? Përgjigjja: “Nuk është pyetja se kur do të nisemi ne, por se kur do të niseni ju. Sadik, ti nuk do të vish në Rinas”. Në një vend nën vëzhgim, një lamtumirë me lot në aeroport mund t’i dëmtonte të dy. Ky ishte takimi i tyre i fundit - por, jo fjala e tyre e fundit: Kalmári i shkroi familjes Salimusaj letra në gjuhën shqipe nga Beogradi për dekada me radhë. Me çizme gome, pranë kufirit hungarez, Kalmárit 65-vjeçar iu desh t’i jepte përsëri provimet e diplomës së vet në Jugosllavi.
I dha dhe filloi të punonte përsëri - sepse ishte e nevojshme: Jugosllavia nuk i njihte vitet e tij të shërbimit në Shqipëri, prandaj nuk kishte pension. Kështu ndodhi që ish-mjeku i Davosit, tashmë në të shtatëdhjetat e tij, punonte pesë ditë në javë si pneumolog dhe radiolog në spitalin e vogël të Novi Knjezhevacit (Törökkanizsa) pranë kufirit hungarez, ndërsa fundjavave kthehej me tren në Beograd.
Një koleg hungarez, Beszedics Erzsébet, e kujtonte kështu: “Shkonte në punë me ca çizme gome të çuditshme, e kishte lënë pak veten pas dore, por si profesionist nuk mund të ishte i keq, dhe nuk ishte njeri i keq”. Kthesa më e papritur e historisë erdhi në vitin 1977: ajo Shqipëri e Hoxhës, që e mbajti peng për një dekadë e gjysmë, nxori një vendim qeverie me nënshkrimin e Mehmet Shehut për t’i paguar Kalmárit pensionin e pleqërisë në valutë të huaj - i transferonin 85 dollarë e 35 centë në muaj në adresën e spitalit të Novi Knjezhevacit.
Nga një Shqipëri hermetikisht e mbyllur dhe e uritur për valutë, ky ishte një gjest që ngjante me një dekoratë. Letrat e tij të fundit i shkruante me makinë shkrimi, sepse duart nuk i bënin më bindje. “Nuk mund të eci në rrugë ... as në shtëpi, përveçse duke u kapur pas mobilieve” - i shkruante në vitin 1984 miqve të tij të vjetër në Tiranë. Vdiq më 25 korrik 1988 në Beograd, në moshën 86-vjeçare.
Në njoftimin e vdekjes në gazetën Politika e përcollën tashmë si Ljudevit Kalmar-Ristiq - mori edhe mbiemrin e bashkëshortes së tij, si një lloj kthimi të fundit në shtëpi tek ajo grua që kishte njohur gjashtëdhjetë vjet më parë, mbi fushat me borë të Davosit. Pushon në Varrezat e Reja të Beogradit, bashkë me të. Në rrjetën e legjendave - çfarë dimë me siguri? Jeta e Kalmárit u mbulua dendur nga legjendat, dhe studiuesit i duhet fillimisht t’i qërojë ato.
Sipas kujtimeve të njerëzve, ai ishte diplomuar në Vjenë (ose Cyrih) - në të vërtetë në Pragë, siç e vërteton regjistri i Universitetit të Karlit. Sipas një shkrimi popullor shqiptar, ai u arratis në Shqipëri në vitin 1938 nga Anshlusi me Dushankën e tij të dashur - në të vërtetë mbërriti në vitin 1930 me ftesë zyrtare të qeverisë, dhe bashkëshortja e tij quhej Jovanka.
Qarkullon një histori se në Durrës gjermanët e vendosën në rreshtin e dhjetërave të tjerëve për pushkatim dhe e shpëtoi numri çift; si dhe një tjetër se u lirua nga robëria pasi shëroi gruan me ethe të komandantit të SS-ve. Janë histori të bukura - por, motive shtegtuese që arkivat nuk i konfirmojnë.
Ajo që është e sigurt: në dhjetor të vitit 1943 gjermanët e arrestuan, dhe ai u lirua falë ndërhyrjes së miqve të tij shqiptarë - një mjeshtër qerrepunues, djali i një heroi legjendar dhe një zëvendësministër. E vërteta këtu, për një herë të vetme, nuk është më pak interesante se legjenda: një fshat i tërë heshti për të, dhe kjo në vetvete është një mrekulli.
Gjurmët e prekshme të miqësisë, për më tepër, ekzistojnë edhe sot: letrat dhe kartolinat e Vitit të Ri në gjuhën shqipe që Kalmári shkroi për katër dekada - të fundit me dorë që dridhej, në makinë shkrimi - ruhen nga familja Salimusaj në Amerikë. Dhe, ka edhe një kapitull të pambyllur të historisë: emri i familjes Trimi që e fshehu ndodhet në listën e njerëzve të njohur shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë, por ai i Sadik Salimusajt, i cili e nxori mikun e tij nga burgu, nuk është ende sot! Ndoshta ky do të jetë hapi i radhës i kërkimit.
Davosi shqiptar që nuk u ndërtua kurrë
Kalmári krahasoi nëntë zona malore në vitin 1930 para se të zgjidhte Voskopojën - luginën e manastirit mbi qytetin arumun që në shekullin XVIII ishte i famshëm në mbarë Ballkanin, krenohej me shtypshkronjë dhe akademi, me erë pishe, bilbila dhe aq shumë ujë burimi sa mund të prodhonin edhe energji elektrike. Qeveria mori vendim, kryepeshkopi dha manastirin, tregtari italian bëri ofertën e çmimit për mobilimin.
Më pas doli se në buxhet nuk kishte asnjë zë nga i cili mund të mbulohej sanatoriumi - apo qoftë edhe paga e Kalmárit. Plani i Davosit shqiptar mbeti në letër; reparti i parë i tuberkulozit në vend u hap në fund në vitin 1935, në një barakë ushtarake në Tiranë. Por, nga aty u rrit gjithçka: në historinë zyrtare të spitalit universitar të mushkërive të sotëm në Tiranë ndodhet edhe sot ndër themeluesit emri i mjekut me origjinë hungareze, Dr. Kalmári Lajos.
Doktori që u kthye në personazh spiunazhi?
Dhe, në fund, një kthesë që do të shkonte madje edhe në faqen e fundit të një romani spiunazhi. Në vitin 1969 - tre vjet pasi Kalmári la më në fund Shqipërinë - kinostudioja e Tiranës xhiroi filmin artistik Njësiti guerril. Sipas historisë, një agjent i shërbimit sekret ushtarak italian, SIM, përpiqet të depërtojë në radhët e rezistencës së qytetit, për të zbuluar dhe asgjësuar udhëheqësit guerilas - por, zbulohet, dhe plani fashist dështon. Emri i agjentit tradhtar në film është: Ludovik. Nuk ka prova që zgjedhja e emrit t’i referohej doktor Ludovikut që sapo ishte larguar në Perëndim - mund të jetë edhe rastësi.
Por, në Shqipërinë hoxhiste, ku prodhimi i filmave ishte zgjatim i propagandës dhe ku të larguarit zakonisht i rishpirtësonin më pas si tradhtarë, studiuesi nuk mund të mos ngrejë pyetjen: vallë regjimi që nuk e la mjekun hungarez të ikte për gjashtëmbëdhjetë vjet, i dha lamtumirën atij në ekran - duke bërë spiun, nga ai njeri që për një jetë të tërë mjekoi të varfrit e tij falas?! Për momentin është vetëm një dyshim. Por i asaj natyre për të cilën ia vlen të ulesh edhe një herë në arkiv! / Memorie.al/


