Please enter at least 3 characters.

Dybala po rinovon me Romën, pranon pagë 5 milionë euro më pak

Aventura e Paulo Dybalas te Roma pritet të vazhdojë, pavarësisht se kontrata aktuale e sulmuesit argjentinas skadon më 30 qershor.

Kohët e fundit ishte përfolur për një rikthim të mundshëm të 32-vjeçarit në Argjentinë, ku Boca Juniors shihej si destinacioni më i mundshëm, por një transferim i tillë nuk pritet të realizohet.

Sipas mediave italiane, Dybala ka vendosur të qëndrojë në kryeqytetin italian dhe ka pranuar edhe një ulje të konsiderueshme të pagës për të vazhduar bashkëpunimin me Romën.

Aktualisht, argjentinasi është lojtari më i paguar në skuadër me rreth 8 milionë euro në sezon, por kontrata e re pritet të jetë dyvjeçare dhe me pagë prej rreth 3 milionë eurosh në sezon.

Vendimi i Dybalas lidhet kryesisht me arsye familjare, pasi ai ndihet shumë mirë në Romë dhe nuk dëshiron të rikthehet në Argjentinë në këtë fazë të karrierës.

Ndërkohë, trajneri Gian Piero Gasperini po punon për të ruajtur bërthamën e skuadrës dhe ka kërkuar gjithashtu rinovimin e kontratës së kapitenit Lorenzo Pellegrini. /Telegrafi/