Please enter at least 3 characters.

Dy raste të vjedhjeve të rënda në Kosovë, hajnat marrin armë dhe pajisje me vlerë

Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara të vjedhjeve të rënda, të cilat kanë ndodhur në Vërmicë dhe në zonën e Bjeshkës së Jabllanicës së Vogël në Pejë.

Në të dyja rastet, persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në objekte private dhe kanë vjedhur armë, municion dhe pajisje të tjera.

Rasti i parë është raportuar në rrugën "Afrim Haliti" në Vërmicë. Ankuesja, një shtetase e Kosovës që jeton jashtë vendit, ka bërë të ditur se më 3 korrik 2026, sapo kishte hyrë në oborrin e shtëpisë së saj, kishte vërejtur derën e hapur. Pasi ka hyrë në objekt, ajo ka konstatuar se dhomat dhe orenditë ishin të demoluar.

Sipas deklarimit të saj, nga shtëpia janë vjedhur katër armë në pronësi të djemve të saj, të cilët jetojnë jashtë shtetit: dy pistoleta, një karabinë dhe një pushkë gjuetie, për të cilën ajo ka deklaruar se posedonte leje.

Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti është iniciuar si "Vjedhje e rëndë" dhe hetimet janë në vazhdim.

Ndërkohë, një rast tjetër është raportuar në Bjeshkën e Jabllanicës së Vogël në Pejë. Ankuesi ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë hapur me forcë derën e vilës së tij dhe kanë vjedhur një armë gjahu, 30 fishekë të saj, 100 fishekë të armës së shkurtër, si dhe një motosharrë.

Lidhur me këtë rast, prokurori ka urdhëruar që procedurat të zhvillohen në procedurë të rregullt, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. /Telegrafi/