Dy raste të vjedhjeve në Istog dhe Pejë - hajnat synuan kasafortën dhe vodhën para, ar e armë zjarri
Dy raste të vjedhjeve të rënda janë raportuar gjatë 20 korrikut në komunat e Istogut dhe Pejës, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti i parë është regjistruar në fshatin Sinë të Istogut, rreth orës 02:12. Persona të panjohur kanë depërtuar në një objekt, ku kanë tentuar ta hapin një kasafortë, por më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti për vjedhje të rëndë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur në rrugën "Mbretëresha Teutë" në Pejë, rreth orës 22:30. Sipas ankuesit, persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur para të gatshme, stoli ari, pajisjen DVR të kamerave të sigurisë, si dhe një armë zjarri me leje së bashku me 100 fishekë.
Pas kryerjes së vjedhjes, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Për rastin është njoftuar dhe konsultuar edhe prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë në vazhdim. /Telegrafi/


