Please enter at least 3 characters.

Dy persona të vrarë në sulmin amerikan ndaj një anijeje në Oqeanin Paqësor

Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka intensifikuar sërish sulmet ndaj anijeve që pretendohet se transportojnë drogë, ndërsa në sulmin më të fundit ndaj një anijeje në Oqeanin Paqësor lindor është njoftuar se dy persona janë vrarë.

Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Amerikën Latine, deklaroi të enjten se “dy narko-terroristë u vranë gjatë këtij operacioni”.

SOUTHCOM nuk ofroi asnjë provë që do të mbështeste pretendimin se anija dhe dy viktimat ishin të përfshira në trafik droge.

Sipas të dhënave të grupit monitorues Airwars, në sulmet amerikane ndaj anijeve në Paqësor dhe Karaibe janë vrarë 126 persona në të paktën 34 sulme që nga incidenti i parë i regjistruar në shtator të vitit 2025.

Vrasjet e fundit do ta çojnë numrin e të vrarëve në të paktën 128, raportojnë mediat.

Administrata e Trumpit i ka mbrojtur sulmet duke e krahasuar tregtinë e drogës me një sulm të armatosur ndaj SHBA-së dhe duke i cilësuar shumë nga grupet kriminale të përfshira në trafik droge si organizata “terroriste”.

Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, aktivistë për të drejtat e njeriut dhe liderë rajonalë i kanë hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së, duke paralajmëruar se sulmet përbëjnë vrasje jashtëgjyqësore dhe se nuk ekziston një gjendje konflikti të armatosur që do t’i justifikonte këto operacione.

“Nuk ekziston asnjë autorizim në të drejtën ndërkombëtare për përdorimin e forcës ushtarake në det të hapur për të vrarë trafikantë të dyshuar droge apo banda narkotike”, ka deklaruar më herët Ben Saul, raportues special i Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të drejtave në luftën kundër terrorizmit. /Telegrafi/