Please enter at least 3 characters.

Dy çmime për Gjilanin në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme me shfaqjen “God Bless America”, e cila u vlerësua me dy çmime në edicionin e sivjetshëm të Prishtina International Theatre Festival 2025.

Shfaqja triumfoi në kategorinë “Shfaqja më e mirë”, ndërsa aktori Kushtrim Qerimi u shpërblye për interpretimin e tij me çmimin “Aktori më i mirë në rol dytësor”.

Lajmin e ka përshëndetur edhe autori dhe regjisori i shfaqjes, Fatos Berisha, i cili u shpreh i lumtur për fillimin e mbarë të rrugëtimit të shfaqjes në këtë festival prestigjioz.

“Faleminderit organizatorëve dhe menaxhmentit të festivalit për mikpritjen dhe për dashurinë e treguar ndaj teatrit,” shkroi Berisha në një reagim publik.

Ndryshe, shfaqja rrëfen historinë e katër miqve, të cilët të shtyrë nga dëshira për mirëqenie familjare, përfshihen në shitjen e Biblave dhe materialeve të tjera religjioze në të gjithë Amerikën. Të trajnuar nga një specialist marketingu dhe të udhëzuar nga kisha, ata udhëtojnë nga shteti në shtet për të siguruar një jetë më të mirë.

Në përpjekje për të arritur qëllimin e tyre, ata nuk ngurrojnë të përdorin metoda të ndryshme për të bindur njerëzit të blejnë produktet e tyre.

Ata trokasin në çdo derë, hyjnë në çdo shtëpi, dhe takojnë individë nga shtresat më të ndryshme të shoqërisë amerikane – duke përjetuar sfidat, kontrastet dhe absurditetin e një “xhungle moderne” të mbijetesës. /Telegrafi/