Dridhjet jotolerante të dimrit
Klasa e analistëve pothuajse heshtën. Tema e hidhërimit të KFOR-it me FSK-në ishte terren i minuar për debat publik. Miqtë tanë paqeruajtës, që na fyejnë inteligjencën tonë me reklamën për dy burrat e moshuar, njëri me plis e tjetri me “shajkaqë”, që ecin me qerre kali nëpër arat e Kosovës, duke e bërë jetën e dimrit me tolerancë, kësaj here u hidhëruan fort. Ata nuk pranuan dot që kadetët e tyre kishin marrë nja 20 pushkë gjuetie, pa fishekë, për të bërë një paradë të gjatë prej 7 metrash ne tepihun e kuq.
Për ne ka qenë ironike shpesh kur gjeneralë e admiralë të NATO-s kanë deklaruar se FSK-ja nuk është ushtri, derisa ne çdo ditë kemi besuar se FSK-ja është ushtria e vërtetë e Kosovës, porse kështu duhet thënë këta të NATO-s. E pata pyetur një epror të lartë të FSK-së se çfarë ushtrimesh po mbanin me ekspertët e NATO-s, meqë kisha dëgjuar se ishte rritur disiplina në ish-kazermat e TMK-së. “Ne përdorim terme të situatave emergjente, por kuptohet që ‘zjarri’ apo një cak tjetër simbolizon armikun për ne”, më patë thënë eprori me karrierë ushtarake.
Ndërkaq, një tjetër epror ushtarak me plot të drejtë pyet se pse u dashtë të shuhet TMK-ja dhe të kalohet në një proces tranzicioni për të krijuar një tjetër organizatë civile.
Por, mbase rastësitë janë interesante në jetë. Pas dridhjes që na shkaktoi hidhërimi i KFOR-it, dridhja e tokës prej 5.2 shkallës na kujtoi misionin e vërtetë të FSK-së, ushtrisë sonë vizuele. Kësaj ushtrie që mbanë uniformat e superfuqisë botërore, dhe në prapavijë gjatë paradave të parkuar ka eskavatorët.
Kuptohet që edhe ky element i procesit të dhimbshëm që u dashtë të kapërdijmë, erdhi nga pakoja e xhaxhait Marti. Por, është më pak e dhimbshme sikur ne të mos ulim kokën para qortimeve të miqve tanë paqeruajtës. Përcaktimi i shtetit sovran të Kosovës duhet të jetë i qartë: duke pranuar që FSK-ja nuk është ushtria e Kosovës, duhet bërë një orientim strategjik. Ose Kosova të nisë formimin e një ushtrie të saj, të armatosur me tanke e artileri, ose të veshë djemtë dhe vashat e FSK-së me rroba të portokallta për të lënë kështu përgjithmonë me apo pa kontratë forcat e NATO-s për të ruajtur sigurinë nacionale.
Në opsionin e parë, Kosova e varfër nuk mund të mbaj ushtri, edhe pse për formimin e saj na nxiti nga një takim i mbyllur miku ynë ambasadori Kristofer Dell. Në opsionin e dytë mund të jemi më realistë.
Jo pak e dhimbshme për mua është edhe kokëulja që përjetoi ministri i FSK-së, Fehmi Mujota. Profesori i nderuar i sociologjisë dhe ish-epror i UÇK-së për moral e politikë, heshti derisa gjeneralëve të KFOR-it u kaloi inati. Ushtrimet me ngjitje në litar vazhdojnë.


