Please enter at least 3 characters.

Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec apelon fermerët të marrin masa mbrojtëse para stuhive të paralajmëruara

Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Rahovecit u ka bërë thirrje fermerëve që të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e kulturave bujqësore dhe infrastrukturës, pas paralajmërimeve për mot të paqëndrueshëm në ditët në vijim.

Përmes një njoftimi në Facebook, drejtoria ka bërë të ditur se, sipas parashikimeve meteorologjike, veçanërisht gjatë orëve të pasdites priten stuhi të forta, erëra të fuqishme, reshje intensive dhe mundësi për breshër.

“Të nderuar fermerë, sipas parashikimeve meteorologjike, ditët në vazhdim, veçanërisht në orët e pasdites, pritet të karakterizohen me stuhi të forta, erëra të fuqishme, reshje intensive dhe mundësi për breshër”, thuhet në njoftim.

Drejtoria ka rekomanduar që fermerët të sigurojnë serat duke përforcuar konstruksionin, lidhëset dhe mbulesën plastike, si dhe të mbyllin të gjitha hapjet para fillimit të stuhisë.

Po ashtu, është kërkuar pastrimi i kanaleve kulluese për të shmangur përmbytjet, largimi ose fiksimi i materialeve që mund të merren nga era, si dhe shtyrja e spërkatjeve, plehërimeve dhe punimeve të tjera bujqësore deri në stabilizimin e kushteve atmosferike.

Sipas Drejtorisë së Bujqësisë, për kulturat në fushë të hapur mundësitë për mbrojtje janë më të kufizuara.

“Për kulturat në fushë të hapur mundësitë për mbrojtje janë të kufizuara, prandaj monitoroni situatën dhe aty ku është e mundur, siguroni sistemet e ujitjes, mbështetëset dhe elementet që mund të dëmtohen nga era”, thuhet në apel.

Në fund, drejtoria thekson se ndërmarrja e masave parandaluese mund të zvogëlojë pasojat e motit të keq.

“Kujdesi dhe masat parandaluese të marra me kohë mund të ndihmojnë që dëmet të jenë më të vogla. Ju urojmë sa më pak pasoja nga kjo valë e motit të keq”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/