Please enter at least 3 characters.

Dramë para Kupës së Botës: Sulmuesi më i mirë i Irakut u mor në pyetje për shtatë orë në aeroportin e Çikagos

Sulmuesi kryesor i përfaqësueses së Irakut, Aymen Hussein, ka përjetuar një situatë të pazakontë dhe të tensionuar me të mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ku kombëtarja po zhvillon përgatitjet për Kupën e Botës.

Sipas mediave irakiane, incidenti ka ndodhur menjëherë pas zbarkimit të ekipit në aeroportin e Çikagos, ku pjesa tjetër e delegacionit ka kaluar pa probleme kontrollin e pasaportave, ndërsa 30-vjeçari është ndalur për verifikime shtesë të sigurisë.

Autoritetet amerikane kanë kryer kontrolle të detajuara, duke bërë që lojtari të mbahej për disa orë në procedura administrative, ndërkohë që ekipi kombëtar është detyruar të vazhdojë drejt kampit stërvitor pa sulmuesin e tij kryesor.

Pas rreth shtatë orësh verifikimesh, Aymen Hussein është liruar dhe më pas i është bashkuar shokëve të skuadrës në grumbullim, duke i dhënë fund situatës së pazakontë.

Hussein është një nga figurat kryesore të Irakut, me 33 gola të shënuar për kombëtaren, duke u renditur si golashënuesi më i mirë aktiv i ekipit dhe i dyti për nga paraqitjet, me 94 ndeshje të luajtura.

Ky incident vjen në një moment të rëndësishëm për Irakun, i cili po përgatitet për finalet e Kupës së Botës. Ekipi do të zhvillojë ndeshjen e fundit miqësore më 9 qershor ndaj Venezuelës, ndërsa stafi teknik shpreson që ngjarja të mos ndikojë në gjendjen psikologjike të një prej lojtarëve kyç të skuadrës. /Telegrafi/