Donacion për nxënësit nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Ferizaj
Zyra për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) në Komunën e Ferizajt ka pranuar dhe shpërndarë një donacion të rëndësishëm për nxënësit e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre shkollore dhe sociale.
Donacioni, i cili është siguruar nga Qendra për Punë Sociale (QPS), përfshinte 58 palë këpucë dimërore dhe 170 bluza me mëngë të shkurtra, të dedikuara për vajzat nga këto komunitete, përcjell Telegrafi.
Përfitues nga kjo nismë ishin katër shkolla fillore: “Tefik Çanga”, “Vezir Jashari”, “Ahmet Hoxha” në Ferizaj dhe “Naim Frashëri” në Zaskok.
Donacioni u pranua nga drejtorët dhe psikologët e shkollave, ndërsa shpërndarja u bë nga zyrtarët e ZKKK-së.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Komunës së Ferizajt për përfshirjen dhe mbështetjen e fëmijëve nga komunitetet pakicë, duke kontribuar në barazi dhe përmirësimin e kushteve të tyre arsimore. /Telegrafi/


