Please enter at least 3 characters.

Dogana mbledh mbi 1.15 miliardë euro të hyra brenda shtatë mujave

Dogana e Kosovës ka arkëtuar mbi 1.15 miliardë euro të hyra bruto gjatë periudhës janar-korrik 2026, duke shënuar rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Doganës, të hyrat bruto në shtatë muajt e parë të vitit kanë arritur në 1,153,076,683 euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 ishin 1,085,940,460 euro.

Kjo paraqet rritje prej 6.18 për qind, apo rreth 67.14 milionë euro më shumë se një vit më parë.

Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore të të hyrave. Nga taksa e doganës janë mbledhur 110.61 milionë euro, krahasuar me 103.53 milionë euro në vitin 2025, që paraqet rritje prej 6.84 për qind.

Nga akciza janë mbledhur 366.16 milionë euro, nga 352.05 milionë euro sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, me rritje prej 4 për qind.

Ndërkaq, të hyrat nga TVSH-ja kanë arritur në 673.47 milionë euro, krahasuar me 628.12 milionë euro në vitin 2025, duke shënuar rritje prej 7.21 për qind.

Dogana e Kosovës ka thënë se rritja e të hyrave është rezultat i administrimit dhe mbledhjes së të hyrave, forcimit të kontrolleve doganore, përmirësimit të efikasitetit operacional dhe zbatimit të legjislacionit doganor.

Institucioni ka deklaruar se do të vazhdojë me rritjen e efikasitetit dhe digjitalizimin e proceseve, si dhe me lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të Kosovës. /Telegrafi/