Please enter at least 3 characters.

Dogana dhe Policia e Kosovës zbulojnë rreth dy kilogramë narkotikë në PKK Merdare

Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, kanë zbuluar rreth dy kilogramë lëndë narkotike gjatë një kontrolli në Pikëkalimin Kufitar Merdare.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli i detajuar është realizuar sot, më 02.02.2026, ndaj një automjeti të dyshuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij kontrolli, zyrtarët kanë gjetur të fshehura në mënyrë të sofistikuar rreth 2 kilogramë substancë, për të cilën dyshohet se është kokainë.

Për realizimin e kontrollit të thelluar është përdorur edhe skaneri X-ray, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pajisje kjo që ka lehtësuar ndjeshëm punën e zyrtarëve dhe ka mundësuar identifikimin e saktë të vendit ku ishte fshehur lënda narkotike.

Rasti aktualisht është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë pritet të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të informatave dhe përdorimit të kapaciteteve moderne teknike, me synim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës.