Please enter at least 3 characters.

DnV: Vështirësi në gjetjen e vendvotimeve dhe raste të votimit me asistencë

Më pak se një orë nga mbyllja e vendvotimeve, po vërehet një interesim i shtuar i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.

Sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), deri në orën 17:00 dalja në votime ka arritur në rreth 38.9%.

Për krahasim, në zgjedhjet e 9 shkurtit, dalja në votime në të njëjtin interval kohor kishte qenë përafërsisht e njëjtë, rreth 39%.

Rajonet me pjesëmarrjen më të lartë në votime janë komunat me shumicë serbe, me 47%, të pasuara nga rajoni i Prishtinës me 43% dalje në votime.

Sipas DnV, edhe gjatë pjesës së dytë të ditës janë raportuar raste të shumta kur votuesit kanë pasur vështirësi në gjetjen e vendvotimit të tyre përkatës.

Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto probleme janë evidentuar në 70% të vendvotimeve, ndërsa në 15% të tyre janë regjistruar deri në 30 raste të tilla.

Ndërkohë, komisionerët në 75% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Po ashtu, në 55% të vendvotimeve nuk është lejuar votimi me asistencë pa dokumente mjekësore, pavarësisht insistimit të votuesve.

Deri në orën 17:00, në 30% të vendvotimeve janë hasur raste të votimit me dokumente me afat të skaduar, deri në 5 raste. Gjithashtu, në 10% të vendvotimeve janë raportuar deri në 4 raste kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide.

Edhe pse në përmasa të vogla, fenomeni i fotografimit të votës, i cili cenon fshehtësinë e saj, vazhdon të shfaqet. Ky veprim dyshohet se lidhet me blerjen e votës, frikësimin e votuesve dhe shtrembërimin e vullnetit të tyre. Deri në orën 17:00 janë raportuar gjithsej 21 raste të izoluara të fotografimit të votës, të evidentuara në 3% të vendvotimeve.

Dy orë para përmbylljes së procesit të votimit, është raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit. Po ashtu, në një vendvotim është raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen.