Djali i Elizabeth Taylor flet për këngën që Taylor Swift ia dedikoi aktores së ndjerë në albumin e saj të ri
Djali i Elizabeth Taylor është shprehur i mahnitur nga kënga e re e Taylor Swift, e cila mban emrin e nënës së tij së ndjerë.
“Ajo dhe nëna ime duken sikur janë shpirtra binjakë”, tha Christopher Wilding për revistën People, i cili është djali më i vogël i artistes së ndjerë.
“Të dyja janë mishërimi i fuqizimit femëror”.
“Mënyra se si [Swift] ka arritur me mjeshtëri të kapë ngjashmëritë dhe paralelet në karrierat dhe jetët e tyre personale është mahnitëse”, ka theksuar Christopher tutje.
Ai e përshkroi si “veçanërisht magjike” mënyrën se si Swift përmend sytë e purpurt, Portofinon dhe aromën e saj të njohur White Diamonds në këngën e dytë të albumit “The Life of a Showgirl”.
Komentet e djalit të artistes ikonike Elizabeth Taylor, vijnë vetëm disa javë pasi Swift publikoi albumin e ri më 3 tetor.
Nga House of Taylor, organizata që menaxhon pasurinë dhe trashëgiminë e Elizabeth Taylor janë shprehur si “jashtëzakonisht të lumtur” për homazhin që Taylor Swift ia ka bërë aktores së ndjerë.
Organizata sapo lansuar një linjë të frymëzuar nga tema e “showgirl”-it, nga një bluzë me frymëzim nga Swift, deri te një fanellë me edicion të kufizuar “sytë e purpurt”.
Një pjesë e të ardhurave, përfshirë ato nga parfumi ikonik White Diamonds, do t’i dhurohen Fondacionit të AIDS-it të Elizabeth Taylor.
“Siç besoj se nëna ime ishte për brezin e saj, edhe Taylor Swift është një modele frymëzuese për brezin e vet”, tha Christopher.
“Angazhimi i saj për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe puna e saj bamirëse do t’i kishin fituar asaj admirimin më të madh nga nëna ime, sikur të kishin pasur mundësinë të njiheshin”.


