Please enter at least 3 characters.

Dita e ndeshjes: Kosova sonte luan miqësore me Andorrën në 'Fadil Vokrri'

Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në aksion, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë zhvillon ndeshjen miqësore ndaj Andorrës.

Kjo do të jetë miqësorja e dytë për "Dardanët" gjatë këtij grumbullimi, pasi javën e kaluar u mposhtën nga Çekia me rezultat të ngushtë 2-1, në një takim ku Kosova la përshtypje të mira pavarësisht disfatës.

Përzgjedhësi Franco Foda pritet të shfrytëzojë edhe këtë sfidë për të testuar alternativa të ndryshme në formacion dhe për t'u dhënë minuta futbollistëve që kanë pasur më pak hapësirë, me synimin që skuadra të jetë sa më e përgatitur për ndeshjet zyrtare që e presin në vazhdim.

Në anën tjetër, Andorra vjen në Prishtinë me objektivin për të zhvilluar një paraqitje sa më të mirë ndaj Kosovës, në një duel që do t'u shërbejë të dyja përfaqësueseve për të fituar ritëm dhe për të provuar variante të reja.

Atmosfera në "Fadil Vokrri" pritet të jetë mjaft e mirë, me tifozët që edhe një herë do të jenë pranë Kombëtares për ta mbështetur drejt një rezultati pozitiv.

Takimi Kosovë – Andorrë zhvillohet sonte në stadiumin "Fadil Vokrri", me fillim nga ora 20:00. /Telegrafi/